Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi me Augustus Color për ruajtjen e trashëgimisë kinematografike shqiptare.
- Eriona Vyshka
- 08/03/2024
- 0 Comment
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Augustus Color, një kompani italiane lider në fushën e digjitalizimit dhe restaurimit të materialeve audiovizive filmike, kanë nisur një bashkëpunim që synon ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë së pasur kinematografike shqiptare. Marrëveshja e nënshkruar nga CEO i Augustus Color, z. Augusto Pelliccia dhe znj. Marinela Ndria, drejtoreshë e AQSHF-së, vendos një bashkëpunim të qëndrueshëm që synon digjitalizimin e veprave filmike dhe trajnimin e të rinjve shqiptarë në fushën e arkivimit dhe restaurimit.
Bashkëpunimi parashikon si hap të parë të rëndësishëm digjitalizimin dhe restaurimin e filmit Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)tëDhimitër Anagnostit, i identifikuar nga Arkivi si një film historik me rëndësi të veçantë për kinematografinë shqiptare. Filmi që daton në vitin 1989 është një përshtatje e romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur shqiptar. Augustus Color merr përsipër të përdorë burimet dhe aftësitë e tij për të përfunduar, në gjashtë muajt e ardhshëm, digjitalizimin dhe restaurimin pilot të kësaj vepre. Historia e filmit, e vendosur në fund të Luftës së Dytë Botërore, ka në qendër një kolonel dhe një prift italian që kthehen në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve të rënë. Filmi i Anagnostit ka veçorinë e të pasurit dy “binjakë”: dy filma të tjerë në fakt u bazuan në të njëjtin roman të Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”; një film italian i vitit 1983, me të njëjtin titull, me regji nga mjeshtri i fotografisë Luciano Tovoli dhe aktorë Marcello Mastroianni dhe Michel Piccoli, si dhe filmi Jeta dhe asgjë tjetër (La vita e nient’altro), me regji të regjisorit të madh francez Bertrand Tavanier, me Philippe Noiret dhe Sabine Azéma, fitues i çmimit special të jurisë në EFA 1989. Gjithashtu në Shqipëri televizioni shtetëror RTSH prodhoi edhe një version televiziv Gjenerali i ushtrisë së vdekur, të vitin 1975 me regji të Vladimir Priftit.
Në fazat e tij vijuese, projekti nuk do të kufizohet vetëm në digjitalizimin e veprave historike të kinemasë shqiptare, por do të shtrihet edhe në një kurs trajnimi ambicioz për të rinjtë shqiptarë që dëshirojnë të specializohen si arkivistë, teknikë restaurimi dhe postproduksioni. Augustus Color do të koordinojë programin e trajnimit, duke u angazhuar për të transferuar njohuri dhe aftësi përmes stafit të tij shumë të specializuar, siç ka ndodhur tashmë në vitet e kaluara për një projekt të ngjashëm restaurimi të arkivave kombëtare dhe private të Mbretërisë së Marokut. Pasi të restaurohen, filmat do të prezantohen në festivalet më të rëndësishme të filmit kushtuar restaurimit të filmit.
Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare, duke demonstruar potencialin e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e kulturës dhe artit dhe duke rinovuar edhe një herë lidhjen e madhe kinematografike e sipërmarrëse që bashkon Italinë dhe Shqipërinë. Bashkëpunimi lindi në margjinat e Festivalit Ballkanik të Filmit në Romë dhe Balkan Film Market në Tiranë, nga takimet mes Ludovico Cantisani, drejtor ekzekutiv i festivalit të Romës dhe producent i Augustus Color, dhe Ilir Butka, producent, pedagog dhe regjisor, në krye të Tirana Film Office, dhe është zhvilluar me shpejtësi falë disponueshmërisë dhe entuziazmit të ndërsjellë të pronarit të Augustus Color dhe Marinela Ndria dhe Eriona Vyshka të Arkivit të Tiranës.
Siç tha Augusto Pelliccia në një intervistë për televizionin shtetëror shqiptar, e cila u transmetua menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, qëllimi i projektit është “të ndajë përvojat dhe aftësitë, të rrisë aftësitë e teknikëve të rinj të laboratorit të arkivit shqiptar duke u trajnuar nga teknikët me eksperiencë të Augustus Color në një partneritet që synon ruajtjen e trashëgimisë kinematografike shqiptare. Shtytja për të çuar përpara këtë projekt nuk është vetëm motivimi i një sipërmarrësi për t’u hapur në tregje të reja, por me këtë operacion shpresojmë t’i japim një shtysë të re lidhjes kulturore dhe profesionale midis Italisë dhe vendeve të Ballkanit. Duke u menduar më gjerë, shpresoj që ky kontakt i parë me kinemanë klasike shqiptare të na bëjë të identifikojmë autorë dhe regjisorë të rinj bashkëkohorë të kinemasë shqiptare dhe t’u japim atyre një vend ku të mbyllin post-produksionin e projekteve të tyre filmike. Augustus Color ka qenë gjithmonë shtëpia e talenteve të rinj.”