Klubi i Filmit “Mësojmë nga e Kaluara” – një diskutim përtej filmit

🎬 Klubi i Filmit “Mësojmë nga e Kaluara” – një diskutim përtej filmit.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), në kuadër të platformës arsimore “Mësojmë nga e Kaluara”, sjell Klubin e Filmit, një hapësirë reflektimi mbi artin dhe kujtesën historike.
📽️ Nisim diskutimin me filmin “Toka jonë”
🗓️ 14 nëntor 2025
📍 Kinema “Drita”, AQSHF
Filmi shqiptar i periudhës ’44–’91 ishte art, por edhe mjet ideologjik.
Tekstet dhe skenarët e filmave kalonin përmes censurës shtetërore, duke u përdorur për të propaganduar nismat politike dhe për të stigmatizuar grupe të tëra shoqërore e ekonomike, që regjimi i shpallte “armiq të klasës”.
Në to u krijuan mite, u deformuan figura reale dhe u përmbysën vlera njerëzore, ndërsa arti humbte lirinë e tij për t’i shërbyer së vërtetës.
Nëpërmjet burimeve arkivore, dëshmive dhe diskutimit të hapur, “Klubi i Filmit” synon të rikthejë këtë debat: si mund ta lexojmë sot trashëgiminë filmike të komunizmit për të ndërtuar mendim kritik, edukim qytetar dhe njohje të drejtë të historisë.
🎞️ Një hap për të kuptuar më mirë historinë përmes filmit “Toka jonë” — dhe për të parë ndryshe figurat që propaganda i shtrembëroi.
Historia që shfaqet në këta filma është shumë më e madhe se një episod artistik. Ajo përfshin ngjarje politike, ekonomike dhe shoqërore që kanë lënë gjurmë të thella dhe vazhdojnë të ndikojnë edhe sot. Ndaj detyra jonë është t’i rikthejmë në diskutim dhe t’i dokumentojmë me përgjegjësi.”
Fjala e Drejtorit të Arkivi Qendror Shteteror i Filmit, Eljan Tanini në çeljen e Klubit të Filmit “Mësojmë nga e Kaluara., nje bashkëpunim mes AIDSSH dhe AQSHF.

Arkiva e filmit është shtëpia juaj. Kjo derë do të qëndrojë gjithmonë e hapur, sidomos për të rinjtë që kanë nevojë të njohin më mirë të shkuarën, një e shkuar që ndoshta nuk është edhe aq larg, por e tashme e jetuar.
Jam shumë mirënjohës për znj. Genta dhe stafin e saj që po e zhvillojmë këtë bisedë sot këtu, në kinemanë tonë që nuk është e re, por ka një emër të ri, “Drita”. Ky emër vjen në kuadër të hapjes dhe rinovimit të arkivit të filmit, i cili do të ketë gjithmonë aktivitete të reja dhe do të pasurohet me hapësira që më parë nuk kanë qenë të pranishme. Për herë të parë po e them publikisht, së bashku me Ministrinë e Kulturës jemi duke ndërtuar një strategji për ngritjen e një muzeu të filmit. Ky muze do të dalë nga kjo ndërtesë, nga ky institucion sepse këtu ka një pasuri të jashtëzakonshme që nuk mund të lihet pas dore dhe duhet patjetër të trashëgohet siç duhet.
Kam një këshillë miqësore për të gjithë studiuesit, të cilët ndër vite kanë qenë nga mosha të ndryshme, një gjë shumë e bukur sepse sjellin larmishmëri dhe perspektiva të ndryshme. Kam vënë re se ne shpesh e shohim të shkuarën me sytë e së tashmes, dhe e kritikojmë atë me kapacitetin mendimor që kemi sot. Kjo është pozitive deri në një pikë, por nuk duhet të kalojmë në ekstrem duke e hedhur poshtë të shkuarën.
Për shembull, filmi “Toka jonë”, pavarësisht se familja e përfshirë në histori ka vuajtur realisht, ne duhet të jemi kritikë “pozitivë” në thelb, kritikë ndaj filmit, ngjarjes dhe të vërtetës por pa e mohuar krejtësisht punën e madhe dhe të rëndësishme që është bërë. Filmi paraqet një peisazh dhe kostume që sot vështirë se mund të realizohen, ka dialogë, skenar qoft edhe me elementë propagande që duhen vlerësuar sipas kohës kur janë krijuar. Ka skena të papërsëritshme, aktorë me karaktere të jashtëzakonshme. Prandaj, duhet ta shohim të shkuarën me sytë e vetë kohës së saj por ta diskutojmë me mendësinë e sotme. Jo çdo gjë e asaj kohe është e keqe, nuk duhet përbaltur apo hedhur poshtë. Jo çdo gjë që dilte nga Kinostudio ishte e pavlefshme.
Mbaj mend bisedën e fundit që kam pasur me një nga njerëzit më të rëndësishëm të Bllokut, nga një familje shumë e njohur (të cilin nuk mund ta përmend për arsye personale). Ai më thoshte se Kinostudio nuk perceptohej domosdoshmërisht pozitivisht në Bllok, nuk shihej si pjesë e privilegjuar. Ata ishin thjesht punëtorë që merrnin urdhra dhe duhet t’i zbatonin, pavarësisht nënteksteve artistike qe mund të futeshin herë pas here. Këtë e dimë mirë nga rrëfimet e aktorëve të mëdhenj, të cilët janë ende gjallë dhe tregojnë sa shumë vuanin për të realizuar një film ashtu siç donte partia apo sistemi. Këto janë elementë që duhen marrë parasysh kur flasim për të shkuarën.
Ju faleminderit shumë që jeni sot në kinemanë “Drita”. Kjo kinema dhe ky arkiv do të jenë gjithmonë të hapur për të gjithë, sipas kushteve, me gjithë larmishmërinë e trashëgimisë materiale dhe jomateriale që mbajnë brenda. Një falenderim të veçantë kam për të rinjtë që vijnë dhe besoj se interesi i tyre do të vazhdojë edhe më tej, ashtu siç po ndodh sot.
Filmi i parë i diskutuar është “Toka jonë”, një vepër e cila trajton reformën agrare dhe kolektivizimin. Klubi i Filmit synon të sjellë një lexim të ri, të balancuar dhe të bazuar në dokumente. Nisma është pjesë Platformës Arsimore “Mësojmë nga e Kaluara -me burime te hapura arsimore ‘44-‘91″, e cila u ofron mësuesve, nxënësve dhe studiuesve materiale arkivore të digjitalizuara, pasazhe filmike të përzgjedhura, dëshmi të mbijetuarve, module diskutimi të udhëhequra nga ekspertë të arsimit, historisë dhe artit. Qëllimi është të ndërtohet mendimi kritik dhe të kuptohet më qartë lidhja mes artit, propagandës dhe shtypjes së grupeve shoqërore.
Autoriteti Dosjeve
Arkivi Qendror Shteteror i Filmit
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Gentiana Sula Faqja Zyrtare Eljan Tanini
Blendi Gonxhja










