Në datë 10 korrik 2025, artisti pamor Eljan Tanini u emërua në pozicionin e Drejtorit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Ai ka kryer studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, dega pikturë-grafikë (2006), si dhe ka mbaruar studimet bachelor dhe master shkencor në Filozofi, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës (2011).
Ka botuar reflektimin eseistik “Tregu i Zeros” (2009) dhe poemën “Pa pik’” (2016). Gjithashtu, materialet letrare të Taninit janë botuar dhe përkthyer në disa antologji në Ballkan dhe më gjerë.
Është autor i disa ekspozitave personale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit. (2016 dhe më pas). Prej vitit 2016 ka realizuar dhe është autor i disa veprave të artit pamor, si murale dhe instalacione nëpër Tiranë dhe Shqipëri, ku ndër të tjera theksohen: Kullat e Minierës në Prrenjas të pikturuara me nusepashke, Guri i Kuq Pogradec, Kavajë Shtëpia e Fëmijëve me Aftësi Ndryshe, Rruga “Myslym Shyri”, Pallati i Peshkut në Tiranë, muret e Ministrisë së Arsimit, Instalacioni prej origami i Çufos dhe Bubit Kaçurrel në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Instalacioni i Skodës së 2 Korrikut 1990 te muri i pasëm i Ambasadës Gjermane dhe Aeroplani prej origami ne Fushën e Aviacionit në Tiranë. Keto instalacione janë të lidhura me memorien kolektive.
Krijues dhe bashkëveprimtar i nismës së përhapur në të gjithë Shqipërinë “Mbill Pemën Tënde”, nismë për të cilën Tanini, bashkë me mqitë e tij, kanë marrë çmimin e vitit Act Now nga Ambasada Amerikane në Tiranë, dhënë nga Ambasadori Arvizu (2012-2014). Tanini ka fituar çmimin ndërkombëtar “Fokus” me fotografinë “Si puthja për babën”.
Eljan Tanini është edhe gazetar e moderator i emisioneve “Esencë” dhe “Amarcord” në Report TV, emisione të cilat kanë në fokus Shqipërinë e shkuar dhe nostalgjinë.