DALLIMET QË NA BASHKOJNË

Shfaqje dhe diskutim mbi 3 filma: “Lukëkuqet mbi mure” (Anagnosti, 1976), “Uji i madh” (Ivo Trajkov, 2004) dhe “400 goditje” (Francois Truffaut, 1959)

Data: 25, 26 dhe 27 prill 2024
Vendi: Kinoteka e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkup

Një program i kuruar nga Arsim Leskovica*
*filmolog i lartë në Kinotekën e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Funksioni i artit është edhe të krijojë një vizion të një modeli koherent, unifikues që duhet të jetë baza e imazheve fragmentare të ngjarjeve që na zbulon ndërgjegjja jonë, si dhe me proceset e socializimit dhe shpërndarjes së filmit që pasqyrojnë një “kalendar” të ri në ndërgjegjen tonë – atëherë gjithsesi kjo na kërkon që ta konceptojmë filmin në një kontekst më të gjerë social dhe kulturor.

Pavarësisht produksioneve dhe filmave të shumtë që krijohen në vendin tonë e në rajon, megjithatë ende ekziston një paradoks. Ai paradoks është mos studimi i filmit si segmenti më popullor i kulturës.

Gjithashtu, filmi si mediumi më popullor, përveç shtrirjes së dëshmuar epistemologjike, mbetet i pjesshëm në pasqyrimin dhe trajtimin e dukurive kulturore dhe sociale. Për këtë mund të gjenden shumë arsye përse nuk ka punëtori dhe diskutime të unifikuara për kinematografitë e rajonit, në mënyrë që të kemi një pasqyrë më të qartë të mënyrës dhe të menduarit të filmit në vendin tonë e më gjerë.

Njohja dhe klasifikimi i disa filmave dhe skenave filmike me tema/problematika të ngjashme do të ishte me rëndësi të madhe për njohjen më të thellë reciproke. Shfaqjet e përbashkëta të filmave kanë rëndësi të madhe, të ndjekura me diskutime të frytshme të ekipeve dhe autorëve të filmit me audiencën, medien dhe veçanërisht me gjeneratën e re.

Në të kaluarën janë bërë përpjekje për të bërë studime dhe analiza të përbashkëta të kinematografive të kombeve më të vogla, por ato janë kufizuar kryesisht në analiza të shkruara. Shfaqjet e përbashkëta të filmave nga vendet e rajonit do të mundësonin ndërveprim më interesant mes ekipeve filmike dhe publikut të gjerë. Duke vizituar institucione dhe persona të rëndësishëm të filmit, brenda dhe jashtë vendit, mund të zhvillohet një bashkëpunim i frytshëm ndërkombëtar dhe rajonal, nën moton DALLIMET QË NA BASHKOJNË. Shpresojmë ta zgjerojmë këtë projekt edhe me vendet e tjera të rajonit, me shfaqje dhe diskutime jashtë sallës së kinemasë, në kuptimin e shfaqjes së filmave nën qiell të hapur, që të themelohet një traditë e bukur dhe autentike.

Për fillimin e realizimit të këtij projekti, i cili mban moton DALLIMET QË NA BASHKOJNË, më 25 prill në Kinotekë do të shfaqet filmi artistik i Ivo Trajkovit GOLEMATA VODA (The Great Water/Uji i madh), i xhiruar në vitin 2004. Kinoteka, menjëherë të nesërmen, më 26 prill, do të shfaq filmin artistik shqiptar LULËKUQET MBI MURE, i xhiruar në vitin 1976 me regji të Dhimitër Anagnostit, dhe më 27 prill do ta përmbyllim projektin me filmin 400 GODITJE (Les quatre cents coups) nga Fransua Trufo (Francois Truffaut) xhiruar në vitin 1959.

Mes shumë arsyeve tjera, këta filma janë zgjedhur kryesisht edhe për “ngjashmëritë dhe paralelet” e tyre në tematikë, si dhe në realizimin dhe qasjen e tyre filmike. Por, gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se filmi LULËKUQET MBI MURE së fundmi është digjitalizuar dhe restauruar në Itali në rezolucionin 4K, kurse filmi UJI I MADH këtë vit feston njëzet vjetorin e premierës së tij. Dhe sigurisht, filmi 400 GODITJE i Trifosë, sipas revistës franceze të filmit “Cahiers du cinema” (Kaje de Sinema) është më shumë se një kryevepër dhe është një nga filmat më emblematikë të periudhës së pasluftës të prodhimit të filmit francez.

26 Prill (E Premte) ora 20:00
LULËKUQET MBI MURE
(Црвените булки над ѕидовите / Red Poppies on the Wall)

film artistik, Shqipëri
1976, 100 min., bardhë e zi, DCP

regjia: Dhimitër Anagnosti
skenari: Petraq Qafzezi, Dhimitër Anagnosti
rolet: Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Alfred Kote, Liza Laska, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Pavlina Mani.

Në një jetimore në Tiranë, gjatë Luftës së Dytë Botërore kur Shqipëria është e pushtuar nga Italia fashiste, fëmijët detyrohen të pastrojnë parullat në mure që antifashistët shkruajnë herë pas here kundër armikut. Katër miq jetimë, Jaçja, Lelua, Bardhi dhe Tomi, njëri prej të cilëve miqësohet me Aliun, një djalë antifashist i hapur, fillojnë të bëjnë plane fshehurazi për t’u hakmarrë ndaj bashkëpunëtorëve të urryer të fashistëve, shërbëtorëve të njohur dhe spiunëve të pushtetin okupues. Dy prej atyre “bashkëpunëtorëve”, që janë në shënjestër të rebelëve, janë pikërisht drejtori i jetimores dhe kujdestari i jetimores. Të nxitur nga vrasja e një oficeri italian nga Aliu, jetimët marrin guximin dhe mendojnë se si ta rrëzojnë kujdestarin e tyre tradhtar nga shkallët. Plani i tyre një natë do të realizohet – kujdestari në gjendje të dehur nuk e sheh litarin që lidhën fëmijët në të dy anët e shkallëve, bie dhe thyen krahun. Drejtori i shtëpisë së fëmijës njofton okupuesti për t’i ofruar ndihmë dhe për të mundësuar kapjen e organizatorëve dhe pjesëmarrësve. Por nuk ia arrin qëllimit, sepse fëmijët heshtin, refuzojnë të bashkëpunojnë. Heshti dhe Sulo, një nga gjashtë fëmijët e pastruesit në jetimore, i cili në fakt nuk është jetim, por u raportua si i tillë nga nëna e tij, pasi nuk mund të kujdesej për të dhe ta ushqente. Përderisa drejtori detyron Sulon të spiunojë miqtë e tij, disa nga jetimët arratisen dhe bashkohen me njësitë e rezistencës.

LULËKUQET MBI MURE në vitin 1980 fitoi çmimin Gran Pri në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Beograd, ndërsa në vitin 1985 fitoi medaljen e artë në Festivalin e filmit “Xhifoni” në Salerno dhe në vitin 1977 Dhimitër Anagnosti fitoi Çmimin e Madh të Republikës së Shqipërisë, për regjinë e filmit.

25 Prill (E Enjte) ora 20:00
UJI I MADH
(Големата вода / Тhe Great Water)

film artistik, Maqedoni / Republika Çeke / SHBA / Gjermani
2004, 93 min., kolor, DCP

regjia: Ivo Trajkov
skenari: Ivo Trajkov, Vlladimir Bllazhevski
rolet: Mitko Apostolovski, Meto Jovanovski, Verica Najdoska, Risto Gogovski, Sasho Kekenovski, Kujaça Nikolina, Maja Stankovska.

Politikani Lem Nikodinoski, i cili është kandidat në zgjedhjet e ardhshme dhe është personazh i njohur në vend, është në gjendje kritike shëndetësore. Rrugës për në sallën e operacionit, ai kujton vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, kur e kaloi fëmijërinë buzë liqenit të madh, në një shtëpi për jetimët e ardhur nga familjet e gjoja “armiqve të popullit”. Lemi i vogël kapet si një “kafshë” në fushat e orizit dhe sillet në shtëpi pranë ujit të madh. Historia që plaku Lem do të tregojë për fëmijërinë e tij të palumtur nuk është një histori e zakonshme për vuajtjet e një jetimi ballkanik, por një histori për miqësinë, për dashurinë, për bamirësinë, për tradhtitë dhe lektisjen për liri.

Filmi UJI I MADH në vitin 2005 mori çmimin “Palma e Artë” për filmin më të mirë, si dhe çmimet për regjinë më të mirë (nga Ivo Trajkov), fotografinë më të mirë (nga Suki Medençeviq) dhe kolonën zanore më të mirë (nga Kiril Xhajkovski) në Festivalin e filmit mesdhetar në Valencia, Spanjë.

27 Prill (E Shtunë) ora 20:00
400 GODITJE
(Les Quatre Cents Coups / 400 Удари)

film artistik, Francë
1959, 99 min., bardhë e zi, video HD

regjia: François Truffaut
skenari: François Truffaut, Marcel Moussy
rolet: Jean-Pierre Leo, Claire Maurier, Albert Remy, Guy Decomble, Georges Flaman, Patrick Off.

Antoani është një fëmijë 14 vjeç, një nxënës i keq dhe preferon të argëtohet në vend që të përmbushë detyrimet e shkollës dhe detyrave të shtëpisë. Prindërit e tij janë shpesh larg shtëpisë dhe Antoani është objektivi i mësuesit të rreptë të frëngjishtes. Një ditë, në vend që të shkojë në shkollë, ai endet nëpër qytet ku sheh nënën e tij duke puthur një burrë tjetër. Për shkak të kësaj, ai ikën nga shtëpia dhe shoku i tij më i mirë e ndihmon atë të kalojë natën në një shtypshkronjë. Kur kthehet në shtëpi, prindërit e tij përpiqen të rregullojnë marrëdhënien me të dhe ai kalon një mbrëmje argëtuese me ta, por lumturia e tij është jetëshkurtër, sepse menjëherë pas kësaj, nëna dhe njerku rifillojnë grindjen e tyre. Antoani përsëri ikën nga shtëpia, duke vjedhur makinën e shkrimit nga zyra e njerkut të tij. Në pamundësi për të shitur makinën, ai përpiqet ta kthejë atë, por roja e zbulon dhe e raporton te njerku i tij. Ai raporton Antoanin në polici dhe më pas prindërit vendosin ta dërgojnë në një institucion përmirësues. Një ditë ai vizitohet nga nëna e tij, e cila e njofton se nuk do të pranohet në shtëpi dhe më pas Antoani vendos të arratiset nga ky institucion.

Filmi mori një mori çmimesh, midis tyre tre çmime në Festivalin e filmit në Kanë (“Palma e Artë” për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, si dhe çmimin OCIC), si dhe në vitin 1960 u nominua për çmimin “Oskar” në kategorinë për skenarin më të mirë.

Ky projekt i përbashkët mes Kinotekës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit zhvillohet me iniciativën dhe konceptin e filmologut të lartë në Kinotekë – Arsim Leskovica. Koordinator i këtij projekti ndërkombëtar është Arsim Ramadani, bashkëpunëtor profesional për aktivitete filmike në Qendrën e Filmit Vardar Film – Shkup. Në këtë event, do të marrin pjesë Hermelinda Troqe (sektori i restaurimit), Erand Meça (sektori audioviziv) dhe Flodian Kokonozi (sektori i skanimit dhe dixhitalizimit të materialeve fotografike), si përfaqësues të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë (AQSHF).