“Les Fauves”, animacioni me metrazh të shkurtër nga Stefan Taçi, restaurohet në 2K
- Eriona Vyshka
- 18/10/2023
- 0 Comment
“Les Fauves”, (7’) është një art-film nga më interesantët e koleksionit filmik të AQSHF-së. I realizuar nga Stefan Taci në vitin 2003, filmi i animuar është një homazh për Henri Matisse dhe lëvizjen foviste të nisur nga ai (fauvism).
“Les Fauves” është i qëndisur si me dorë për të rikrijuar pikturat e artistit të famshëm francez. Përmes teknikave të ndryshme të animacionit dhe xhirimeve reale, filmi është një homazh për jetën, artin dhe për të gjithë njerëzit e pafajshëm të vrarë nga dhuna e verbër e çdo lloji.
Vjen në variantin e restauruar, me ngjyra të mrekullueshme pranë origjinalit, tone të thella të skenave bardhë e zi, dhe me cilësi të lartë figure dhe zëri, nga studio Quality Matters në Indi.
“Les Fauves” u restaurua falë punës së përbashkët mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ABI Bank dhe Harabel Contemporary Art Platform. Një partneritet që do të vazhdojë të punojë për restaurimin e trashëgimisë kombëtare filmike.
- Prodhuar nga: Pegasus
- Skenari, regjia dhe animacionet: Stefan Taçi
- Operatore: Sonja Mamaqi
- Producent: Bertrand Shijaku
- Në role: Alfred Trebicka, Enerjeta Jani Fuga, Lutfi Capuni