“Përrallë nga e kaluara” shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit FESTIVAL LUMIÈRE, në Lion, Francë

Për të dytin vit radhazi, kinematografia klasike shqiptare prezantohet para publikut europian në Festivalin prestigjioz ndërkombëtar të filmit FESTIVAL LUMIÈRE, në Lion, Francë, në qytetin ku lindi vetë kinematografia në fund të viteve 1800 nga Vëllezërit Lumière.

Pas prezantimit të filmit të restauruar “Tana” në edicionin e vitit 2022, në Festivalin e sivjetshëm kuratorët kanë përzgjedhur filmin “Përrallë nga e kaluara” të regjisorit Dhimitër Anagnosti (1987) për t’u shfaqur në versionin e tij të restauruar në seksionin Thesare dhe Kuriozitete (Treasures & Curiosities).

Programi Thesare & Kuriozitete sjell 14 filma pak të njohur ose të harruar nga 13 vende të ndryshme të botës si: SHBA, Franca, Italia, Polonia, Shqipëria, Korea e Jugut, Madagaskari, Portugalia, Zvicra, etj., duke i dhënë audiencës një shans për t’u njohur me vepra të rëndësishme kinematografike ose për të (ri)zbuluar momente të historisë së filmave. Festivali i filmit Lumière vlerëson arkivat e filmit anembanë botës për punën e tyre restauruese, e cila sjell në jetë kinemanë klasike. Të gjithë filmat e këtij seksioni mbajnë etiketën Lumière Classics.

Filmi u prezantua nga specialistja e arkivit, Znj. Eriona Vyshka, e cila ishte edhe e ftuar e Festivalit, dhe nga studiuesi i kinemasë Z. Joël Chapron. Prezantimi u parapri nga fjala e hapjes së drejtores së programacionit të Festivalit Lumiere, Znj. Maelle Arnaud.

Filmi “Përrallë nga e kaluara” pati 2 shfaqje:

Të premten, 20 tetor, ora 11.30 në Institutin Lumiere (Villa)
Të shtunën, 21 tetor, ora 16:45 në Kinema Opera

Përveç publikut francez dhe ndërkombëtar që ndjek Festivalin, në shfaqjen e filmit “Përrallë nga e kaluara” ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Francë, SH.T.Z. Dritan Tola, i cili udhëtoi posaçërisht për në Lion, Konsulli i Nderit në Lion Z. Denis Di Leonardo, anëtarë të France Albanie Business Club si dhe qytetarë shqiptarë me banim në Lion.

AQSHF falënderon përkthyesen Évelyne Noygues, e cila me shumë dashamirësi përshtati filmin në gjuhën frënge duke u kujdesur që publiku i Festivalit të shijojë çdo detaj të dialogut.

***

Restaurimi i filmit “Përrallë nga e kaluara” u krye në vitin 2015 në studiot e Hungarian FilmLab në Budapest, financuar nga Ministria e Kulturës, një projekt i mbikqyrur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Restaurimi i filmave dhe subtitrimi i tyre në gjuhë të huaja janë në fokus të punës së AQSHF-së prej disa vitesh tashmë, me qëllim prezantimin e kinematografisë klasike shqiptare në botë, njohjen dhe studimin e trashëgimisë kombëtare filmike.


© Photo Institut Lumière / Romane Derbelen