Vizitë nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit

Sot, kishim kënaqësinë të mikprisnim në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj.
Vizita u zhvillua në një atmosferë shumë të ngrohtë ku zoti President u njoh me koleksionet arkivore dhe punën tonë për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe digjitalizimin e tyre duke vlerësuar njëherazi rëndësinë e trashëgimisë kombëtare kulturore dhe qasjen e të rinjve për ta njohur këtë trashëgimi dhe për të nxitur kureshtjen e tyre për të studiuar e për të punuar në këto profesione të rralla.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, Z. Skënder Durmishi, Ilir Gjocaj, përfaqësues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Kosovë si dhe kineasti Afrim Spahiu.
Në kuadër të vizitës, u shfaq në kinemanë “Drita” në AQSHF, filmi dokumentar me metrazh të shkurtër “117”, me skenar e regji nga Besim Sahatçiu dhe kamera nga Afrim Spahiu, prodhuar në vitin 1976 dhe që konsiderohet si një nga dokumentarët etnografikë më domethënës të rajonit. Për shumë studiues dhe kritikë, kjo vepër mbetet një “portret shpirtëror i kombit”, sepse përmbledh brenda vetes vlerat më të thella: solidaritetin, bashkëjetesën dhe kulturën e pasur që ka formësuar popullin shqiptar.
Në përfundim të vizitës, Presidenti Begaj shkroi në librin e përshtypjeve të AQSHF-së duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë dhe falënderimet për përkushtimin dhe profesionalizmin që AQSHF tregon për ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie kulturore. Ai u shpreh se Arkivi nuk është vetëm një vendruajtje e filmave por këto janë dokumente që rrëfejnë për ngjarjet, historinë, emocionet, mentalitetin dhe identitetin shqiptar.
AQSHF falënderon Presidentin e Republikës për vizitën dhe për mbështetjen që tregon për misionin tonë të rëndësishëm në ruajtjen dhe evidentimin e vlerave kombëtare.
Arkivi Qendror Shteteror i Filmit
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Blendi Gonxhja
Eljan Tanini












