Nënshkruhet protokoll bashkëpunimi mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Universiteti Politeknik të Tiranës.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Universiteti Politeknik i Tiranës nisin një projekt për shpëtimin e trashëgimisë filmike me karakter edukativ.
Z. Eljan Tanini, Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Z. Akli Fundo, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, nënshkruan në datë 29 shtator 2025, një protokoll bashkëpunimi dhe shpallën nisjen e një projekti të rëndësishëm për shpëtimin dhe ruajtjen e materialeve filmike të fondit të UPT-së, të cilat do të dalin për herë të parë në dritë.

Ky bashkëpunim synon ndërhyrjen emergjente për arkivimin dhe konservimin e një fondi të gjerë që përfshin filma 35mm dhe 16mm dhe mijëra fotografi historike, të cilat përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme për historinë dhe kujtesën vizuale shqiptare.
Materialet, të ruajtura ndër vite në kushte jo gjithmonë të përshtatshme teknike, gjenden aktualisht në rrezik degradimi, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur humbjen e tyre të pakthyeshme.

Në takimin e organizuar për nisjen e këtij bashkëpunimi morën pjesë:
* Akli Fundo, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës
* Eljan Tanini, Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit
* Prof. Elfrida Shehu, Zv. Rektore e Universitetit Politeknik të Tiranës
* Prof. Andrea Maliqari, Këshilltar i Rektorit në Universitetin Politeknik të Tiranës
* Prof. Asoc. Gjergji Islami, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU)
* Stafi teknik i Arkivit të Filmit

Ky Protokoll ka për qëllim vendosjen e një kuadri bashkëpunimi ndërmjet AQSHF-së dhe UPT-së për ruajtjen, digjitalizimin, promovimin dhe shkëmbimin e materialeve filmike, fotografike, historike dhe kulturore që kanë lidhje me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe filmimet me karakter edukativ e studimor që janë kryer nga laboratori i fotografisë dhe filmit të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Palët angazhohen të bashkëpunojnë në:
• Identifikimin dhe ruajtjen e materialeve audiovizive që disponon UPT.
• Krijimin dhe ruajtjen e fondit të UPT në AQSHF.
• Digjitalizimin e materialeve filmike të interesit të përbashkët.
• Shkëmbimin e njohurive profesionale në fushën e arkivistikës dhe të përpunimit të materialeve arkivore.
• Shkëmbim materialesh dhe shërbimesh, sipas nevojave që mund të kenë institucionet.
• Promovimin e përbashkët të dokumentarëve shkencorë, historikë dhe filmave arkivorë me tematikë studimore e edukative.
• Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, edukative, artistike, kulturore.

Ky partneritet ndërinstitucional shënon një hap të parë të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë filmike kombëtare, duke e konsideruar atë jo vetëm si kujtim, por si dëshmi të gjallë të historisë sonë.