Filmi “Liri a vdekje”, restaurohet në 4K nga Augustus Color, me mbështetjen e programit Europian “Sezoni i Filmave Klasikë”.
- Eriona Vyshka
- 12/09/2025
- 0 Comment

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Shoqata e Kinematekave Europiane (ACE) dhe Tirana Film Institute, organizojnë premierën e filmit të restauruar LIRI A VDEKJE (1978) me regji nga Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, si shfaqje e filmit përmbyllës të edicionit të 23-të të Tirana International Film Festival 2025.
📅 27 shtator 2025
🕗 Ora 20:30
📍 Kinema Millennium
Me shumë kënaqësi dhe krenari ndajmë me ju përfundimin e këtij projekti të restaurimit. Një udhëtim i gjatë pune, pasioni dhe përkushtimi që riktheu filmin në shkëlqimin e tij të dikurshëm, për t’ia dhuruar sërish publikut në formën që meriton.
Restaurimi digjital i filmit LIRI A VDEKJE u mundësua nga projekti Sezoni i Filmave Klasikë – nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE), me mbështetjen e programit Europa Krijuese MEDIA të Komisionit Europian.
Liri a vdekje u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35mm. Skanimi i negativit në 4K u krye në studion e AQSHF-së në Tiranë dhe restaurimi në laboratorin e Augustus Color në Romë, Itali.
LIRI A VDEKJE | 1979 | 120’ | me ngjyra
Regjisorë: Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro
Skenarist: Vath Koreshi
Drejtor Fotografie: Petraq Lubonja
Piktor filmi: Arben Basha
Kompozitor: Kujtim Laro
Prodhuar nga: “Kinostudio “Shqipëria e re”
Aktorë: Timo Flloko, Gjergj Lala, Kadri Roshi, Nikolla Llambro, Sotiraq Bratko, Kastriot Çaushi, Fane Bita, Bujar Asqeriu, Edmond Tare, Reshat Arbana, Liza Laska, Pandi Raidhi, Viktor Çaro, Jorgaq Tushe, Elvira Diamanti, Teuta Keçi, Adem Gjyzeli, Ilia Shyti, Kastriot Çollaku, Irakli Lefteri, Tomor Bendo, Marta Burda, Aristotel Stefani, Adrian Lazëri, Birçe Hasko.
Komitët e udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti kthehen në fshat, tek njerëzit e tyre, përpara se të ekzekutojnë oficerin turk të Gjirokastrës. Pas kësaj, ushtria osmane ndërmerr një fushatë kundër krahinës së Mashkullorës, e cila shndërrohet në një simbol të rezistencës dhe luftës për pavarësi të shqiptarëve. Mësuesi Hysen, i cili u mëson fshehurazi gjuhën shqipe fëmijëve, vritet, gjithashtu, brutalisht.
Çerçiz Topulli, personazhi i vërtetë i këtij filmi, ishte një revolucionar dhe luftëtar guerilas shqiptar i përfshirë në lëvizjen kombëtare shqiptare që vepronte në zonat malore të Shqipërisë së jugut. Ai dhe vëllai i tij, Bajo Topulli, ishin të njohur për luftën kundër osmanëve përpara se Shqipëria të shpallte pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në vitin 1912.