Premiera e filmit të restauruar “Lulëkuqet mbi mure” me regji të Dhimitër Anagnostit (1976).

Në 6 dhjetor 2023 u mbajt premiera e variantit të restauruar të filmit “Lulëkuqet mbi mure” me regji të Dhimitër Anagnostit (1976).
47 vite pas realizimit një nga filmat më të mirë të kinematografisë shqipatre vjen në format 4K, restauruar në studion Dabimus srl, si një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, me mbështetjen financiare të projektit “Sezoni i Filmave Klasikë” nga ACE – Association des Cinémathèques Européennes dhe Creative Europe.

Nuk munguan në këtë event artistët e stafit realizues të filmit, si: regjisori Dhimitër Anagnosti, piktori i filmit Namik Prizreni, asistent operatori Bashkim Asllani e familjarë të artistëve që nuk janë më mes nesh. Aktorët Timo Flloko, Strazimir Zajmi (Jace), Krenar Arifi (Sulo) i cili udhëtoi enkas nga Gjermania, Artur Hoxholli (Bardhi), e shumë miq të Arkivit.
Faleminderit të gjithëve për këtë mbrëmje të mrekullueshme e sidomos interesimit të publikut për të cilin ishte shumë e vogël salla e kinemasë.

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, pushtimi fashist ndihet edhe në jetimoren e Tiranës. Drejtori fashist i jetimores i detyron djemtë e rinj të pastrojnë parullat antifashiste të shkruara në muret e qytetit. Fëmijët ndihen të indinjuar nga ky mobilizim i detyruar dhe fillojnë të shohin me dyshim çdo veprim të drejtorit. Ata më në fund rebelohen kundër sistemit të korruptuar shkollor, shtypjes fashiste dhe manipulimit të vazhdueshëm.
I prodhuar në kulmin e komunizmit në Shqipëri, filmi “Lulëkuqet mbi mure” evidenton lavdëron luftën kundër fashizmit. Pavarësisht çdo ngjyre propagandistike, “Lulëkuqet mbi mure” është një film i bukur dhe popullor shqiptar. Me regji të kineastit të shquar Dhimitër Anagnosti, në film aktrojnë disa nga aktorët më të mirë të kohës dhe plotësohet me kinematografi të jashtëzakonshme dhe muzikë të mrekullueshme origjinale të kompozitorit të njohur të filmit Kujtim Laro.

LULËKUQET MBI MURE | 1976
Regjisor: Dhimitër Anagnosti
Producent: Kinostudio “Shqipëria e Re”
Skenari: Dhimitër Anagnosti, bazuar në romanin autobiografik të Petraq Qafzezit.
Kinematografia: Pëllumb Kallfa
Muzika: Kujtim Laro
Montazhi: Marika Vila
Piktor filmi: Namik Prizreni
Zëri: Saliko Hoxha
Aktorë: Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Strazimir Zaimi, Enea Zheku, Krenar Arifi, Artur Haxholli, Alfred Kote, Liza Laska, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Enver Dauti, Pavlina Mani.