Premiera e filmit të restauruar “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.
- Eriona Vyshka
- 29/03/2025
- 0 Comment

Me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-Vjetorit të Çlirimit të vendit, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Augustus Color, organizuan në datë 25 nëntor 2024, në Kinema Millennium Tiranë, premierën e variantit të restauruar të filmit “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti (1989), ekranizim i romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Ky projekt erdhi në këtë vit jubilar të çlirimit të vendit, si një homazh për njeriun; për njeriun që luftoi, atë që vuajti pasojat e luftës dhe për atë që ra duke mbrojtur kauzat e atdheut të tij.
Faleminderit laboratorit të Romës, Augustus Color, që iu bashkua projektit tonë dhe na bëri dhuratë punën e mrekullueshme restauruese, pas skanimit të elementeve negativë të figurës dhe zërit në studion e re të digjitalizimit në AQSHF.
Premiera ishte një rivlerësim për artistët që krijuan këtë vepër kinematografike dhe një kënaqësi për të gjithë ata që erdhën dhe e përjetuan me ne këtë film në ekranin e madh.
Në role: Bujar Lako, Guljelm Radoja, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Kastriot Ahmetaj, Vasillaq Godo, Raimonda Bulku, Liza Vorfi, Birçe Hasko, Andon Qesari, Petraq Xhillari, Ilia Shyti, Piro Qiqi, Aristotel Stefani, Liza Laska, Xhemil Tagani, Xhelal Tafaj, Niko Kanxheri, Justina Aliaj.
Kompozitor: Gjon Simoni
Operator: Bardhyl Martiniani
Piktor: Kleo Nini
Montazhi: Mimoza Nano
Zëri: Spiro Konduri
Kostumograf: Durim Neziri
Prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, 1989