Premiera e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”.
- Eriona Vyshka
- 29/03/2025
- 0 Comment

Në datë 15 maj 2024, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Fondazione Gramsci di Puglia organizuan premierën e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrem Fejzo (1977).
Në eventin e premierës, e cila u mbajt në Kinema Millennium në Tiranë, ishin të pranishëm pjesë e grupit realizues të filmit dhe familjarë të atyre që nuk janë më mes nesh, si dhe restauratorët e DABIMUS dhe të Fondacionit Gramsci të Puljas.
Restaurimi digjital i këtij filmi dhe eventi i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”.
Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali.
Në kuadër të këtij projekti restaurimi, u mbajt në date 16 mal 2024, në Qendrën e Studimeve të Artiti pranë Akademisë së Shkencave, seminari me temë “Rëndësia e ruajtjes, mirëmbjatjes dhe digjitalizimit të arkivave audiovizualë: Bashkëbisedim me Nicola Barbuti-in, Vito Saracino-n dhe Theo Mäusli-n”.
Dr. Jonida Gashi dhe Dr. Edon Qesari bashkëbiseduan me ekspertët:
Nicola Barbuti – Kërkues shkencor në lëmin e arkivistikës, të bibliografisë dhe të bibliotekonomisë në Departamentin e Hulumtimit dhe Inovacionit Humanist, Universiteti Shtetëror “Aldo Moro”, Bari (Itali). Themelues dhe drejtues aktual i Zyrës së Digjitalizimit të Arkivave, Bibliotekave dhe Muzeumeve. Ekspert në fushat: arkivistikë, informatikë humaniste, digjitalizim i trashëgimisë kulturore.
Vito Saracino – Koordinues i veprimtarive të hulumtimit shkencor pranë Fondazione Gramsci di Puglia, lektor në lëndën e Historisë Sociale të Medias pranë Universitetit Shtetëror të Foxhias (Itali).
Theo Mäusli – Docent pranë Universitetit të Zvicrës Italiane, anëtar i komitetit ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Televizionit FIAT/IFTA, përgjegjës arkivistik i rrjetit televiziv “Svizzera Italiana”.
GUNAT PËRMBI TELA | 1977
Regjia: Muharrem Fejzo
Skenari: Duro Mustafaj, Muharrem Fejzo
Kamera-operator: Ilia Terpini
Kompozitor: Kujtim Laro
Piktor: Azis Karalliu
Aktorë: Thimi Filipi, Fatos Sela, Stavri Shkurti, Luftar Paja, Sulejman Pitarka, Serafin Fanko, Jani Riza, Raimonda Bulku, Liza Laska, Muhamet Sherri, Lulëzim Jonuzi, Llambi Kaçani, Adem Gjyzeli, Zehrudin Dokle, Zija Grapshi
Regjisore montazhi: Krisanthi Kotmilo
Zëri: Koço Tollko
Kostumograf: Alush Shima
Grimi: Llukan Bushi
Efektet speciale: Skënder Batku
Drejtor filmi: Polivaq Lina
Bashkëpunëtor: Bejto Isufi
Prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re” 1977
Interpreton: Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit dhe Kinematografisë
Dirigjent: Ferdinand Deda