Premiera e filmit të restauruar “Ngadhnjim mbi vdekjen”
- Eriona Vyshka
- 28/03/2025
- 0 Comment

Filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen”, është restauruar në 4K nga Augustus Color, si një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, falë financimit të ABI Bank Albania.
Filmi i restauruar u shfaq premierë në Kinema Millennium në Tiranë, në 25 mars 2025, me praninë e një pjese të artistëve që i dhanë jetë. Si homazh për kinemanë dhe artistët dhe si dëshmi e artit të një kohe, ky event i organizuar bukur nga AQSHF bashkoi artistët, familjarët e atyre që nuk janë më dhe dashamirës të kinemasë në një mbrëmje festive dhe emocoinuese.
Ishin të pranishëm regjisori Piro Milkani, piktori i filmit Ksenofon Dilo, aktorët Eglantina Kume, Drita Haxhiraj dhe Timo Flloko si dhe familjarë të regjisorit Gëzim Erebara, skenaristit Peçi Dado, operatorit Saim Kokona, kompozitorit Feim Ibrahimi, drejtorit të filmit Todi Bozo, dhe aktorëve Edi Luarasi, Naim Frashëri, Demir Hyskja. Pjesa më e madhe e të ftuarve jetojnë tashmë jashtë vendit. Ata udhëtuan enkas nga larg për të qenë të pranishëm në këtë event, për t’u ri-takuar dhe për të përjetuar edhe një herë emocionet e filmit.
Gjithashtu, të pranishëm në premierë ishin Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Sh.S. Znj. Pang Chunxue, Zv Ambasadori dhe pjesëtarë të stafit të Ambasadës.
Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Znj. Marinela Ndria, përshëndeti të gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit dhe falënderoi mbështetësit e projektit të restaurimit, ABI Bank dhe studion Augustus Color që punoi me profesionalizëm për këtë projekt.
Filmit ikonë “Ngadhnjim mbi vdekjen”, u restaurua 58 vite pas realizimit duke rikthyer shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit e duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, skenarin oigjinal të Peçi Dados, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit.