“DOUBLE FOCUS mbi pushtimin fashist të Shqipërisë” në Villa Medici, Romë.

Në 13 mars 2025 u mbajt në Akademinë Franceze të Romës, në Villa Medici, aktiviteti “DOUBLE FOCUS mbi pushtimin fashist të Shqipërisë”, kuruar nga studiuesi he kritiku i artit Alessandro Gallicchio.

Ky aktivitet hodhi dritë të re mbi një episod pak të diskutuar në historinë e fashizmit kolonial italian, pushtimin e Shqipërisë midis viteve 1939 dhe 1943. Në fakt, në pak vite, fashizmi e përdori Shqipërinë si një kantier ndërtimi perandorak në zemër të Evropës, duke transformuar strukturën politike, sociale, urbane dhe kulturore të një shteti të lindur rishttazi.
Duke u nisur nga një qasje vizuale, duke shfrytëzuar një metaforë optike (ajo e fokusit të dyfishtë), gjatë eventit u stimuluan reflektime të reja jo vetëm mbi fuqinë e kujtesës së arkivave, por edhe mbi kinemanë si një fabrikë imazhesh dhe rrëfimesh politiko-ideologjike. Filmat që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe në Arkivin LUCE në Romë, u krahasuan dhe u vunë në pikëpyetje, duke zbërthyer strategjitë retorike të zhvilluara nga fashizmi italian dhe socializmi shqiptar për të rrëfyer periudhën e pushtimit.

Filmat “Lulëkuqet mbi mure” nga Anagnosti (1976) dhe “Makina e imazhit e Alfredo C.” nga Roland Sejko, ilustruan retorikën e trajtuar në tryezën e moderuar nga Carmen Belmonte (Universiteti i Padovës/Bibliotheca Hertziana) me:
Alberto Basciani (Universiteti Roma Tre)
Marinela Ndria dhe Eriona Vyshka (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit)
Roland Sejko (Arkivi LUCE).

Programi:
15:00 – 16:30 : Shfaqje
“Lulëkuqet mbi mure” (1976) nga Dhimitër Anagnosti

16:30 – 17:30 : Tryezë e rrumbullakët
E moderuar nga Carmen Belmonte (Universiteti i Padovës/Bibliotheca Hertziana) me:
Alberto Basciani (Universiteti Roma Tre)
Marinela Ndria dhe Eriona Vyshka (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit)
Roland Sejko (Arkivi LUCE)

18:30 – 21:00: Shfaqje
Makina e imazhit e Alfredo C. (2021) nga Roland Sejko – me praninë e regjisorit.
Pas shfaqjes, biseda me regjisorin Sejko.