Premiera e filmit të restauruar “Kapedani”

Në sallën e kinemasë Millennium në Tiranë, u shfaq mbrëmjen e 24 shtatorit 2024 në kuadër të Tirana International Film Festival filmi i restauruar në 4K “Kapedani”, premierë botërore në programin TIFF Classics. Në mbrëmjen emocionuese ishin të pranishëm mes të tjerësh edhe aktori Robert Ndrenika, piktori i filmit Shyqyri Sako, familjet e kineastëve Fehmi Hoshafi e Muharrem Fejzo si dhe aktorëve Albert Verria, Nikolin Xhoja, Melpomeni Çobani, etj.
Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një iniciativë e Association des Cinémathèques Européennes (ACE), me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA.
“Kapedani” është restauruar nga DABIMUS srl – një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

KAPEDANI | 1972 | 101 min | b/z | film artistik | me titra në anglisht
Prodhuar gjatë një periudhe shumë të shkurtër liberalizimi, Kapedani ende konsiderohet si një nga thesaret më të dashura në historinë e filmit shqiptar, një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”. Historia e luftëtarit me mustaqe të bardha Sulo, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat, zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare.
Një pjesë e arsyes për qarkullimin e vazhdueshëm të këtij filmi mbase është edhe fakti se “Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike. Në fakt, filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushë beteje. Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike.
Për shkaqe të gjuhës dhe izolimit politik, kontributi i Shqipërisë në kanunin e klasikëve të kinematografisë së Europës Lindore është injoruar padrejtësisht. Varianti i restauruar në 4K dhe i subtitruar i filmit “Kapedani” është një hap i rëndësishëm për ta sjellë këtë thesar të pazbuluar të kinemasë botërore në vendin e merituar mes kryeveprave ndërkombëtare të kinematografisë.

Regjisorë: Fehmi Hoshafi, Muharrem Fejzo
Skenarist: Skënder Plasari
Operator: Ilia Terpini
Kompozitor: Tahsim Hoshafi
Piktor: Shyqyri Sako
Montazhi: Marika Vila
Prodhuar nga: Kinostudio “Shqipëria e Re”
Në role: Albert Verria, Nikolin Xhoja, Flora Mërtiri, Zagorka Shuke, Ismail Zhabiaku, Petro Duka, Lazër Filipi, Robert Ndrenika, Hyrie Ahmeti, Ferit Gjevori, Haxhi Sejko, Melpomeni Çobani, Dario Llukaci, Fatbardha Lalo, Rauf Pojani, Valbona Simixhi, Reshat Arbana, Saimir Kumbaro, Meropi Xhoja, Tefta Hamzaraj.