|
|
Koleksioni
Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar
prej vitit 1947, i cili ka qënë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios "Shqipëria e re",
aktiviteti i së cilës fillon në vititn 1952 dhe përfundon në vitin 1992.
Në fondin filmik të arkivit të filmit gjenden gjithashtu:
- Materiale arkivale të grumbulluara nga privatizimi i të gjithë filmave artistikë, dokumentarë dhe
kronika të prodhimit të huaj, që nga shfaqjet e para luftës deri në përfundim të luftës së dytë botërore,
të konsideruara plaçkë lufte.
- Materiale filmike të depozituara sipas ligjit të depozitës legale të ushtruar që në vititn 1945, kur sipas
marrëveshjeve të reja shtetërore rifillojnë xhirimet e kineastëve të huaj.
- Nga dorëzimi i një kopjeje të prodhimit të huaj të blerë nga distribucioni shtetëror.
- Nga xhirime arkivale.
- Nga shkëmbime të materialeve filmike me arkiva të tjera.
- Koleksioni i AQSHF vazhdon të pasurohet nga prodhimi kinematografik shqiptar dhe bashkëpunimet e huaja me
kompanitë shqiptare private të prodhimit filmik të cilat kanë filluar prej vitit 1992. Çdo prodhim
kinematografik shqiptar i financuar nga Qëndra Kombëtare Kinematografike ka si detyrim ligjor,
që vjen nga Kontrata e financimit e lidhur mes Kompanisë filmike dhe QKK, të depozitojë pranë AQSHF
veprën filmike në 3 gjini, negativ, pozitiv, fonogramë.
- Pasurimi i fondit të AQSHF vjen edhe nga depozitat vullnetare. Çdo prodhues mund të depozitojë me dëshirën e
tij veprën e tij filmike në AQSHF. Nëse vepra është në format 35 mm atëherë ajo futet në fondin kryesor
arkival; nëse është në format digital apo shirit atëherë futet në fondin e Mediatekës.
Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv,
AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar,
skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të
veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre. Ky dokumentacion original shoqërohet me të
dhëna të tjera të shumta bibliografike, materiale shtypi, botime të ndryshme për filmin, fotografi të
historisë së kinematografisë, të dhëna biografike të kineastëve shqiptarë, si dhe një dokumentacion
aparaturash dhe gjithshka tjetër që ka të bëjë me muzeologjinë e filmit.
Koleksione të artë
- Fondi i artë shqiptar me veprat më të mira kinematografike të regjizorëve shqiptarë më të njohur si
Hakani, Erebara, Dhamo, Anagnosti, Gjika, Milkani, Keko, Fejzo, Hoshafi, Kumbaro, Ljarja, Muça, Mitro,
Mysliu, Pecani, Prifti, Çashku, Topallaj, Zhabjaku, Dafa, Tane, Ibro, Xhuvani, Minarolli, Koçi, Bisha,
Ruka, Minga, Shanaj, etj.
- Koleksioni klasik i kinematografisë botërore me vepra të Eisenstein, Cukor, Engels, Camerini, Blasetti,
Mastrocinque, Castellani, Ballerini, Bragaglia, Damiani, De Sica, Lizzani, Rosselini, De Santis,
Visconti, Zeffireli, Dreville, Pagnol, Tourneur, Hitchcock, Goldwyn, McDonald, Baky, Froehlich,
Sellers, Kazan, etj.
- Koleksioni LUCE. AQSHF ka në fondin e vet një pjesë të konsiderueshme të prodhimit italian arkival
historik të Institutit Luce, i cili përbën 10 % të fondit.
|