|
 |
|
|
Redaksia
Tomka dhe shokët e tij shfaqet në Turner Classic Movies

Jeta e re e filmit Tomka dhe shokët e tij pas restaurimit në vitin 2014 nga Biblioteka e Kongresit dhe Projekti i Kinemasë Shqiptare, vijon me shfaqjen në platformën prestigjioze amerikane Turner Classic Movies (TCM). Në datë 20 tetor ora 21:15 ekrani i TCM foli shqip dhe 40 milionë shikues në të gjithë botën patën mundësi të ndjekin një film shqiptar me subtitrim në anglisht. Kjo është hera e parë që një platformë televizive e nivelit të TCM-së transmeton një film shqiptar dhe kjo u arrit edhe për faktin se versioni i restauruar i këtij filmi arrin të përmbushë kërkesat teknike të teknologjisë së sotme digjitale si dhe nivelin e përkthimit dhe subtitrimit në anglisht.
Transmetimi i filmit Tomka dhe shokët e tij ishte pjesë e programit Woman Make Film / Gratë Bëjnë Filma të TCM-së kushtuar regjisoreve gra. Në këtë program u përfshinë 1 dokumentar dhe 100 filma të realizuar nga 100 kineaste gra, nga 6 kontinente, 44 shtete dhe në një periudhë kohore prej 12 dekadash. Gjithashtu, regjisorja Xhanfise Keko u shpall regjisorja e javës nga TCM si dhe iu kushtua asaj një artikull nga Sean Axmaker.
Jemi të lumtur që edhe Shqipëria më në fund arriti të hyjë në hartën e kinematografisë botërore nëpërmjet Xhanfise Kekos dhe filmit të saj Tomka si dhe punës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe partnerëve të tij: Projekti i Kinemasë Shqiptare - ACP, Biblioteka e Kongresit LOC dhe SKA-NDAL si distributor dhe përfaqësues i familjes Keko.
Lidhje TCM: https://bit.ly/3oiAYwz
Lidhje Keko: Director of the week: https://bit.ly/2HmFVTY
Redaksia AQSHF

|
|
|