shq   eng  
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  Redaksia AQSHF
Njoftim për shtyp - RESTAUROHEN 2 FILMA TË DHIMITËR ANAGNOSTIT

Kemi kënaqësinë të njoftojmë projektin më të fundit të AQSHF-së për restaurimin dixhital të 2 filmave nga fondi Anagnosti: “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi” pjesë të fondit filmik të AQSHF-së.
Në fund të Nëntorit 2014, Ministria e Kulturës miratoi projektin e paraqitur nga AQSHF, projekt i cili u mbështet pjesërisht edhe nga Hungarian FilmLab, Budapest.




Filmat

“Përrallë nga e kaluara” Anagnosti, 1987 është padyshim një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare si dhe një paraqitje, jo vetëm e artit kinematografik shqiptar por edhe e traditës, letërsisë, zakoneve, kostumografisë dhe muzikologjisë shqiptare.
Ndërsa filmi “Përjetësi” Anagnosti, 1974, është një trajtim poetik dhe emocional i temës së të rënëve të luftës antifashiste dhe do të promovohet me rastin e 71-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

Pse u zgjodhën këto tituj?
Të gjitha fazat e prodhimit të filmave “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi”; xhirimi, proceset laboratorike, montimi, stampimi, janë bërë në laboratorin e Kinostudios, i cili në ato vite, sidomos në 1987, ishte tashmë i vjetëruar si nga aparaturat, nga teknologjia e përdorur ashtu edhe nga materiali filmik i përdorur për stampimim e filmave. Për këtë arësye, këto filma, nuk u prodhuan në standartet e duhura teknike. Filmi “Përrallë nga e kaluara” ka marrë dhjetra çmime ndërkombëtare gjatë shfaqjeve në kohën e tij, por nuk ka mundur asnjëherë të hyjë në festivale të rëndësishme, pikërisht sepse ka qenë prodhuar jashtë kushteve teknike.
Për më tepër, filmi “Përrallë nga e kaluara” ka vetëm 3 elementet bazë në 35mm; 1 negativ, 1 fonogramë (negativi i zërit) dhe 1 pozitiv. Nuk është prodhuar asnjëhërë elementi dubël-negativ, që është elementi i ruajtjes arkivale nga i cili prodhohen kopje të tjera në rast se negativit i ndodhin dëmtime të parekuperueshme. Ndërsa dokumentari “Përjetësi” ka dekolorim ngjyrash, mbizotëron në imazh vetëm ngjyra blu dhe rrezikohet dekompozimi total i ngjyrave nëse nuk i bëhet kopje e restauruar.

Në të vërtetë, në fondin e AQSHF-së ka tituj te tjerë më problematikë përsa i përket kushteve në të cilat ndodhen, por restaurimi i tyre kërkon një projekt me buxhet më të madh në dispozicion.

AQSHF, gjithashtu, ka kënaqësinë të njoftojë se po bëhen bisedime me bashkëpunëtorë të mundshëm për t’u bërë pjesë e projektit të rradhës për restaurimin e filmit “Ballë për Ballë”, një nga filmat e fondit tonë i cili rrezikon dekolorimin total të ngjyrave.

Procesi i restaurimit
Skanimi në rezolucionin 2K, restaurimi, korrektimi i ngjyrave, pastrimi i zërit dhe përgatitja e fileve profesionale dixhitale kërkon laborator dhe specialistë të specializuar. Këto shërbime nuk ofrohen në vend. Nga kërkimet tona në rajon, kemi kontakt me Hungarian Filmlab, Budapest të cilët na kanë ofruar shërbimin e tyre të specializuar. Koordinatorja e Projektit, Znj. Eriona Vyshka, ka qenë vetë në datat 13-14 Nëntor 2014 në studiot e HumgarianFilm Lab për vizitë dhe është takuar me drejtuesit dhe specialistët e restaurimit. Znj. Vyshka ka konfirmuar shërbimet e specializuara që kryhen atje, sidomos për filmat arkivalë të cilat kërkojnë një kujdes dhe teknologji të vecantë për vetë specifikat që ka materiali i vjetër filmik.

Është një nevojë e padiskutueshme që “Përrallë nga e kaluara” dhe “Përjetësi” të restaurohen respektivisht pas 27 dhe 40 vjetësh nga krijimi i tyre dhe kështu të nisë një jetë e re për këto filma që rrezikohen të zhduken nëse nuk kujdesemi për to. Versionet dixhitale që do të prodhohen janë të transferueshme në film 35mm, gjë që mund të bëhet në një fazë të dytë për arësye të kostove më të larta, por nga ana tjetër do t’i siguronte filmave një jetëgjatësi akoma më të sigurtë.

Është nënshkruar kontrata nga drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti dhe drejtoresha Ekzekutive e Hungarian FilmLab, Csepaine Havas Agnes. Elementet origjinalë të filmave janë dërguar në laboratorin Hungarian FilmLab në Budapest dhe aktualisht kemi disa minuta video test si dhe foto nga procesi i restaurimit dërguar nga specialistët Robert Nagy, Gabor Petho dhe Gabor Pinter në të cilat duken rezultate paraprake shumë pozitive.

Projekti pritet të përfundojë në pranverë 2015.
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2017
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE