shq   eng  
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  Eriona VYSHKA
DEBATE TEORIKE MBI EKRANIZIMET DHE MBI MARRËDHËNIET LETËRSI – KINEMATOGRAFI
“Detyra që po përpiqem të përmbush, i pajisur me fuqinë e fjalës së shkruar, është që t’ju bëj të dëgjoni, të ndjeni – e para së gjithash, të mund të shikoni”

Joseph Conrad

autor i romanit “Zemra e errësirës” (Heart of darkness) nga ku mori subjektin Francis Ford Coppola për filmin e tij “Apocalypse now”


Pse ekranizojnë kineastët?

Të shikosh një film që rezonon me jehonat e një bote të njohur mirë, e cila buron nga një bashkim kujtimesh të këndshme dhe idesh të reja, është si t’i japësh jetë një miti që qëndron në origjinë të ekzistencës sonë dhe që nuk pushon së na intriguari, duke na dhënë forcë. Dëshira për të realizuar ekranizime, kësisoj, rrënjëzon brenda dëshirës për t’i dhënë formë rilindjes së këtij miti. Versionet e ndryshme filmike të të njëjtit libër janë manifestime të të njëjtës dëshirë për të “ritakuar” një mik të vjetër. Pushteti që tërheq kineastin është dëshira për të krijuar dhe për të rigjallëruar këtë botë të njohur mirë. Pushteti që tërheq spektatorin për të shikuar një ekranizim është mundësia që ofron filmi për të shikuar dhe dëgjuar atë çka ky spektator ka imagjinuar dhe mësuar, për të dashuruar sipas imagjinatës së tij, dëshira për të hyrë brenda botës së dashur të librit në një mënyrë akoma edhe më sensuale.

Duke shikuar një ekranizim, dëshira jonë e parë është që ta zgjatim më tej magjinë që na ka dhënë libri kur e kemi lexuar, por prapëseprapë dëshira e fuqishme për të riparë aty brenda botën e dashur të librit të lexuar më parë, do të krijojë një lloj pritshmërie ku përzihet shpresa dhe ankthi, sepse filmi po ndërhyn me një botë, e cila është e dashur dhe e shtrenjtë për vetë ne. Një ekranizim që nuk i përgjigjet idesë tonë personale për librin, do të konsiderohet menjëherë si një sulm ndaj integritetit tonë. Pavarësisht faktit që në rastin e bestsellerëve audienca pa dyshim do të pozicionohet kundër detajeve të filmit që shmangen prej veprës origjinale, ekranizimet mbeten gjithsesi të dashura për industrinë e filmit. Kineastët e dinë mirë që filmat e tyre do të shikohen me lupë, në përpjekje për të zbuluar mungesën e besnikërisë ndaj origjinalit. E megjithatë ata ekspozohen qëllimisht dhe pa problem ndaj gjykimeve të ashpra, duke ekranizuar romanet më të shitura.
Kompleksiteti i një vepre letrare përfaqëson një sfidë të madhe për cilindo lexues, sepse bota që evokohet aty brenda është e pafundme; ajo duhet të përplotësohet vetëm përmes procesit të leximit. Lexuesit krijojnë idetë e tyre vetjake lidhur me këtë botë, duke grumbulluar vizionet e fragmentarizuara si të pjesëve të artikuluara drejtpërsëdrejti, ashtu edhe të atyre të nënkuptuara. Një ekranizim e fton spektatorin që të diskutojë jo thjesht për filmin, por edhe për mënyrën vetjake të të lexuarit të veprës bazë, duke i dhënë këtij spektatori mundësinë që të shikojë se si ai ka bashkëvepruar aktivisht me librin.

Gjatë shikimit të filmit, ne bëhemi pjesë e një komunikimi artistik interpersonal, i cili është mjaft miklues, sepse na lejon që të hyjmë brenda mendjes krijuese të artistit dhe veprës së tij letrare. Kjo gjë kombinon kënaqësinë e eksplorimit të tekstit letrar, përmes lenteve të një artisti, bashkë me kënaqësinë e depërtimit në botën e tij të brendshme.
Kështu, ne interesohemi lidhur me mënyrën se si autorët e filmit iu përgjigjen pjesëve të rëndësishme të një vepre letrare, se si ata shndërrojnë raportet ndërmjet karaktereve, strukturave dhe objekteve, se si ata formatojnë karakteret, se si pasurojnë portretet e secilit prej tyre, se si rindërtojnë nëntekstet e fjetura dhe si përjetojnë në pavetëdije gjithçka qëndron nën sipërfaqjen e një vepre të artikuluar me fjalë. Mënyra se si kineastët bashkojnë detajet e kuptimit fillestar me ato të kuptimeve të derivuara, do të na bëjë të sqarojmë edhe faktin se si e shikojnë botën ata vetë.

Më poshtë kam parashtruar disa nga debatet kryesore teorike mbi ekranizimet, të cilat do të mund t'i lexoni të plota nëse shkarkoni materialin në versionin .pdf.

Debati estetik

Ndikimet e ndërsjellta midis arteve, si letërsia dhe kinemaja (por sigurisht mes arteve në përgjithësi), edukatës dhe kulturës estetike janë të përjetshme. Arti e zhvilloi shijen e publikut e cila duke u stërholluar pak e nga pak, e bëri artin më të pjekur dhe e ngriti në nivele më të larta estetike. Arti nga ana e tij vazhdon të nxisë ndjeshmëritë e publikut duke vazhduar të kultivojë më tej shijet e tij. Në kinema, ky proçes zhvillimi dhe këto ndikime të ndërsjellta janë më të dukshme se artet e tjera dhe vendimtare.

Intuitivizmi

Një tjetër debat interesant në fushën e estetikës së arteve dhe sidomos në marrëdhëniet mes letërsisë dhe kinemasë është ai i intuitivistëve. Pohimi i Intuitivizmit dhe ithtarëve të tij, si Benedetto Croce, sipas të cilit arti është intuitë, përkon edhe me pohimin tjetër se arti është aktivitet i njohjes. Në këtë pohim nënkuptohet dallimi ndërmjet reales dhe joreales, nënkuptohet gjithashtu që arti nuk ka karakter pasiv dhe që bart me vete veprimtarinë mendore.
...

Debati kritik

Bashkë me fillimin e ekranizimit të romaneve në vepra filmike, zuri fill edhe debati kritik lidhur me këtë proçes, proces ky që kishte ithtarët dhe kundërshtarët e tij. Kineastët e hershëm, si Sergei Eisenstein dhe D. W. Griffith, i shfaqën hapur parapëlqimet personale që kishin për prozatorë të caktuar. Edhe shkrimtarët vetë shprehën opinionet e tyre, p.sh. Virginia Woolf u shpreh hapur kundër përshtatjes së romaneve në vepra filmike duke argumentuar: “Syri dhe truri bëhen copë e çikë e shpërbëhen krejt, ndërsa përpiqen më kot të punojnë përbri njëri-tjetrit”. Diskutimet e para teorike lidhur me ekranizimin e veprave letrare, në krye të herës kanë qenë thjesht të tipit të eseve të shkurtra. Përkundrazi, literatura mbi ekranizimin mori karakter mjaft më serioz në vitin 1957, kur u publikua vepra pioniere e George Bluestone Novels into film (Nga romani në film).
...

Debati mbi besnikërinë ndaj veprës letrare

Debati mbi ekranizimin e veprave letrare për vite të tëra u dominua nga pyetja lidhur me besnikërinë ndaj veprës burimore, si edhe nga prirja për t’i dhënë përparësi prozës origjinale, krahasuar me versionin filmik të saj. Ekranizimet janë konsideruar nga shumica e kritikëve si më të dobëta krahasuar me tekstin që kishin për bazë, si “minore”, “ndihmëse”, “derivate” apo produkte “dytësore”, të cilave iu mungonte pasuria simbolike e librit dhe ca më shumë fryma ‘shpirtërore’ e tij. Kritikët nuk mund të gëlltitnin atë që konsiderohej si edhe e meta kryesore e ekranizimeve: varfërimin që pësonte përmbajtja e librit, për shkak të shkurtimeve të detyruara që i bëheshin subjektit si edhe për shkak të paaftësisë së kineastëve të vëzhgonin në thellësi e të përfaqësonin nëntekstet e thella të prozës.
...
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2017
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE