shq   eng  
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  Abaz HOXHA
ANAGNOSTI - MJESHTËR I KINEMASË SHQIPTARE
Kinematografia shqiptare ka patur mjaft arritje, janë prodhuar mbi 300 filma artistikë të gjinive dhe metrazheve të ndryshme duke u krijuar një traditë në kulturën dhe artin shqiptar. Shumë filma shqiptarë janë pritur me interes të veçantë jo vetëm brenda vendit por edhe në Festivale të ndryshme ndërkombëtare ku janë shfaqur dhe janë nderuar me shumë çmime si në të kaluarën ashtu edhe veprat e kineastëve të rinj të viteve të fundit. Kinemaja, kultura dhe arti shqiptar krenohen me këta krijues të kësaj tradite të re që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë edhe jashtë saj.
Ndër këta kineastë, themelues të këtij arti të ri, që hodhën bazat e kinematografisë sonë ka shkëlqyer gjithmonë emri i nderuar i Artistit të Popullit, fituesit të disa çmimeve të para në Festivalet kombëtare e Ndërkombëtare, mjeshtrit të ekranit, Dhimitër Anagnosti.

E kam ndjekur hap pas hapi dhe me shumë interes gjithë krijimtarinë e këtij mjeshtri të madh të kinemasë shqiptare. Mbasi mbaroi studimet e larta për operator në Institutin e njohur Kinematografik të Moskës themeluar nga një prej mjeshtrave të kinemasë Sovjetike Lev Kuleshov që në vitin 1919, ai e filloi karierën në kinematografinë shqiptare si operator nëpërmjet xhirimit në film të ngjarjeve të ditës, kronikave dhe filmave dokumentarë. Dy nga filmat e tij të parë dokumentarë që u dalluan për mjeshtëri në anën figurative ishin “Gjirokastra” dhe “Gurët dekorativë” ky i fundit i pari film dokumentar me ngjyra që u përpunua në laboratorin e Kinostudios “Shqipëria e re”. Paralelisht, punoi si operator në filmat e parë artistikë “Debatik”(1961) dhe “Toka e jonë”(1964) të dy me regji të H. Hakanit.

Por kinematografia shqiptare po shkonte drejt rritjes dhe për këtë i duheshin kuadro të shkolluara me kulturë dhe të afta, prandaj edhe ai, si një mjeshtër i kamerës, kompozicionit, me frymëzim poetik prirje të theksuara artistike që i kishte dëshmuar që në shkollën e mesme “Ali Demi” në Vlorë, kaloi me guxim edhe në funksionin e regjisë dhe së bashku me V. Gjikën xhiruan filmin e tyre të parë si regjisor “Komisari i dritës” (1966) i cili mbeti një nga gurët themeltarë të kinemasë shqiptare për vlerat e tij regjisoriale të kamerës dhe subjektin që trajtonte të realizuar me mjeshtëri.

Por vlerat e tij si një regjisor me një t’ardhme të madhe dhe si një mjeshtër i vërtetë i ekranit u dukën që në filmin e tij të parë të pavarur “Duel i heshtur”(1967). Ky ishte një film ku dolën në pah përpjekjet e suksesëshme të regjisorit të ri për të depërtuar në psikologjinë e personazheve dhe ndonse i mbëshetur në katër personazhe(tre nga të cilët aktorë të rinj), ka një ngarkesë të fuqishme dramatike dhe emocionale dhe megjithëse ngjarja zhvillohet në bordin e një motovedete në det të hapur, të bën ta ndjekësh me interes edhe kur e ke parë disa herë. Ishte ky një shëmbëll i shkëlqyer shqiptar që nuk mbetej pas filmit të njohur francez “Maria Oktobër” (ngjarjet e të cilit zhvillohen në një dhomë)ndonse ky i fundit interpretohesh nga 10 aktorë me shumë përvojë që bënin pjesë në elitën e interpretimit të kinemasë franceze të asaj periudhe.
Dhe Dh. Anagnosti është dëshmitari më i qartë i përkushtimit dhe devotshmërisë. Ai u dallua për vepra të suksesshme në gjithë krijimtarinë e tij si një mjeshtër i detajit dhe gjuhës së tij të veçantë duke i dhënë çdo vepre vulën e tij personale.

Kinemaja u nda nga teatri pikërisht nga fakti se, ndërsa teatri flet kryesisht me dialogun, ku zëri zë vendin kryesor, kinemaja është një art vizual ku figura është themelorja. Jo më kot studiues të ndryshëm e kanë përcaktuar kinemanë si një art kryesisht visual, si një fotografi në lëvizje, por që dallon thelbësisht nga ajo. Përfaqësonjësit e “Valës së re” franceze, në fundin e viteve ’50, në përpjekjet e tyre për të ngritur rolin e kinemasë si një art kryesisht viziv, i jepnin përparësi imazhit kinematografik. Kinemaja e vërtetë kërkon figurë të pastër dhe shprehëse, dialog të kursyer, konçiz, që të shprehë ide me sa më pak fjalë, që të japë mesazhe dhe jo të shoqërojë thjesht personazhet dhe ngjarjet. Kinemaja është gjithashtu një art kompleks, një art sintezë ku përfshihen të gjitha artet të cilat duhet të bashkëveprojnë në unizon me njëra tjetrën.

Elemente të tjera që përcaktojnë gjuhën e filmit janë përdorimi funksional i zhurmave, muzika, skenografia, kostumografia dhe padyshim montazhi ku i jepet filmit të ardhshëm portreti, mesazhi. Në montazh krijohen emocionet, rritet shkalla e dramaticitetit të veprimit filmik etj. Të gjithë këto elementë duhet të harmonizohen, të veprojnë në unizon, secili ka rolin e tij të veçantë, secili duhet të plotësojë idenë me mjetet e tij të veçanta. Dhimitër Anagnosti është një mjeshtër i vërtetë i harmonizimit të komponentëve dhe ka një stil të tij të veçantë për dhënjen e mesazheve.

Çdo kinematografi kombëtare jep ndihmesën e saj në të përgjithëshmen, në vizionin e kinemasë botërore, seicila kinematografi duhet të flasë me mjetet e saj të veçanta. Filmi duhet të japë botën shpirtërore, psikologjinë e vendit të tij.
Kinemaja botërore nuk ka nevojë që p, sh filmi shqiptar të imitojë të tjerët, të përpiqet ti japë botës mesazhe dhe mjete shprehjeje që i ka huajtur nga ata vetë, ajo duhet të japë mesazhet e vendit dhe popullit të tij.

Filmat e Dh. Anagnostit bien erë Shqipëri, kanë taban të fortë kombëtar. Ai ka vërtetuar me krijimtarinë e tij se njeh thellësisht psikologjinë, humorin, traditën dhe nuk përpiqet të sajojë, të huazojë nga të tjerët por i përdor të gjithë këto elementë me mjeshtëri duke i dhënë filmave vizionin e tij personal. . Ai është regjisori që flet me një gjuhë të veçantë, me stilin, gjuhën, psikologjinë e tij Filmat e tij, edhe duke mos u parë titujt, dallohen qartësisht se janë të Anagnostit. Ai ka krijuar gjuhën e tij të të shprehurit, gjuhën e Anagnostit. Këtë e vërtetojnë të gjithë filmat e tij që nga “Dueli i heshtur”, “Plagë të vjetra”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” etj.

Ai është një mjeshtër i vërtetë në përdorimin e humorit të popullit që e përdor me mjeshtëri, me masë dhe me vend për të dhënë ide të koncentruara, asgjë ashtu kot por me synime të caktuara dhe e udhëheq spektatorin natyrshëm në rrjedhjen e ngjarjeve. Gjithë filmat e Anagnostit kanë taban kombëtar, nuk huan nga të tjerët, don ti japë spektatorit shqiptar dhe të huaj botën shqiptare dhe këtë e ka arritur me sukses në të gjithë filmat e tij. Në të gjithë filmat e Anagnostit ndihet një stil i veçantë, ai të fut natyrshëm dhe pa u kuptuar në brendësi të ngjarjes, dramën e personazheve, shpesh me detaje humoristike derisa sikur të tërheq përdore dhe të fut gradualisht në ngjarje dhe si pa e kuptuar ti bëhesh personazh pjesëmarrës.

...

lexo artikullin e plote ne versionin .pdf
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2017
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE