shq   eng  
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  Viktor GJIKA
KUR ЁNDRRA BЁHET FILM...

Gjithshka filloi nga një ëndërr tronditëse e parë në moshën 12 vjeçare:
“… Pylli i Moravës filloi të zbriste teposhtë malit të Drenovës dhe po sulmonte Korçën. Gjithë banorët e qytetit iu kundërvunë kësaj ushtrie të pafund. Përmes tymit dhe flakëve luftonim edhe ne fëmijët!...”.
I bindur se ëndrrën e kishin parë edhe shokët e mi, unë i emocionuar ua tregova që të nesërmen në mëngjes. Për çudinë time, ata nuk e kishin parë ëndrrën ndaj e dëgjuan me interes, bile më i rrituri nga ne, Maku, hodhi idenë që ëndrra të bëhej film. Ishte koha kur ne, vjedhurazi, hynim në kinema “Majestik” dhe shikonim filma në disa seanca rresht. Që ato ditë në mendjen dhe zemrën time u ngulit ëndrra dhe pasioni për kinemanë.
Do të kalonin dhe disa vjet kur në gjimnaz, profesori i letërsisë do të na lexonte gjithë pasion “Makbethin” e Shekspirit e mua do të më nguliteshin në mendje vargjet “... Pylli i Brinjës u ngrit e i ra Malit të Dursinjës ...”. Atëherë ëndrra ime filloi të bëhet realitet. Unë u dërgova për studime në Institutin e famshëm Kinematografik të Moskës dhe u bëra një nga kineastët e parë shqiptarë. Për mua kinemaja u bë gjithshka. Ajo tanimë është puna ime, argëtimi, kënaqësia, dituria, mënçuria, dashuria, jeta ime.

Deri më sot kam realizuar si regjisor, skenarist dhe operator 15 filma artistikë dhe mbi 25 filma dokumentarë. Veprat janë të ndryshme nga gjinia, përmbajtja, gjuha shprehëse, personazhet, zgjidhja figurative, kolona zanore, etj. E megjithatë, mjafton të shohësh një nga këto vepra për të kuptuar autorin, karakterin e tij, bindjet, stilin dhe metodën e tij të punës. Ndaj, po ju flas shkurtimisht vetëm për dy nga filmat e mi, njëri artistik dhe tjetri dokumentar, filma që i lidh i njëjti personazh, Ismail Qemali.

Aty nga fundi i verës së vitit 1981, akoma pa hyrë viti jubilar i 70 vjetorit të Pavarësisë, më lindi ideja e krijimit të një filmi artistik kushtuar këtij evenimenti madhor të historisë sonë. Angazhimi në një vepër të tillë ishte i papreçedent. Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tabllo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për çudi, edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime. Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali” të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me disa këngë popullore dhe shumë pak fotografi. Si i thonë fjalës “i hyra detit më këmbë!” Një ndihmë shumë të çmuar më dhanë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe të Institutit të Historisë por në mënyrë të veçantë historianët Koli Xoxe, Kaliopi Bozo e Gazmend Shpuza, i cili u bë edhe konsulenti shkencor i filmit të ardhshëm.

Gjithë ky bashkëpunim i zgjeroi njohuritë e mia mbi I. Qemalin. Tashmë për mua ai ishte jo vetëm një patriot i madh, por edhe një shtetar i përmasave europiane, i denjë për të drejtuar shtete ku e ku më të mëdhenj se Shqipëria jonë. Ai u tregua rilindas vizionar që kur shtroi ndër të parët kërkesën për Autonominë e Shqipërisë në suazën e Perandorisë, gjë që do të sanksiononte kufijtë e ardhshëm të shtetit shqiptar dhe pastaj në çastin e duhur historik nguli këmbë për Shpalljen e Pavarësinë. Në sajë të aftësive të veta diplomatike të jashtëzakonshme ai mundi të krijojë një shtet të pavarur pa zbrazur asnjë pushkë, rast i rrallë ky, në mos i vetëm, në historinë botërore. Ishte në nderin e tij, gjithashtu, që ai u rendit që në fillim me patriotët e tjerë të cilët ngulën këmbë që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet latin.

Sa më shumë e njihja Ismail Qemalin, aq më shumë shtoheshin për mua vështirësitë e realizimit të filmit. Por pata një fat të madh: gjeta skenaristët më të përshtatshëm për një ndërmarrje të tillë. Fillimisht ia propozova Prof. Dhimitër S. Shuteriqit që në atë kohë ishte në kulmin e krijimtarisë së vet letrare dhe shkencore. Profesori fillimisht hezitonte, ankohej se nuk e njihte mjaftueshëm teknikën kinematografike të skenarit, por u qetësua pëfundimisht kur si bashkëskenarist u ofrua skenaristi i suksesshëm Kiço Blushi.

Fat tjetër që më shoqëroi gjatë realizimit të filmit ishte gjetja e saktë e interpretuesit të rolit të Ismail Qemalit, aktorit tonë të madh Sandër Prosi. Me interpretimin e tij ai i bindi të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut, se pikërisht i tillë dhe vetëm i tillë ka qenë plaku i Vlorës. Nuk mund të harrohen, gjithashtu, aktorët e tjerë të shquar Reshat Arbana në rolin e Isa Boletinit, Bujar Lako në atë të Luigj Gurakuqit, Robert Ndrenika, Guljem Radoja, Viktor Zhusti, Ilia Shyti, etj. Rëndësi të veçantë pati grimi i shkëlqyer i Llukan Bushit, zgjidhja figurative e operatorit të shquar Lionel Konomi, dekoret e piktorit Arben Basha dhe padyshim muzika emocionante e kompozitorit tonë të madh Kujtim Laro.
Realizimi i filmit kaloi përmes vështirësive të shumta e të gjithanëshme, që nga gjetja e zgjidhjeve të duhura artistike në përputhje me vërtetësinë historike, organizimi i saktë i lëvizjeve brenda dhe jashtë kuadrit të mijëra figurantëve apo kuajve të shumtë, dhe deri te përputhja e domosdoshme e atmosferës së nxehtë të verës, kur xhirohej filmi, me dimrin e ftohtë të vitit 1912 kur zhvilloheshin ngjarjet historike. Të gjitha u kapërcyen falë gadishmërisë shembullore të grupit realizues. E vetmja vështirësi që nuk u kapërcye dot ishte vendimi i Komisionit të Kontrollit Paraprak për të hequr nga filmi episodin “Beteja tek ura me tre harqe” në të cilën Isa Boletini detyrohet të ndeshet me ushtarët serbë që të hapë rrugën për të qenë prezent në momentin e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte pikërisht kjo betejë që e çoi Isën në Vlorë me dy ditë vonesë. Episodi ishte mjaft dramatik. Peisazhi i ashpër malor, ura antike, lumi plot ujëra të turbullta, përleshja trup me trup aty mbi urë, kapja rob dhe ndëshkimi i oficerit serb Mitroviç - masakruesi i kosovarëve në fillim të filmit - e bënin atë episod, sipas kolegëve të mi që arritën ta shohin filmin të paçensuruar, një nga më të bukurit të xhiruar prej meje në kinematografi. Por s’qe e thënë! U ngul këmbë që episodi të hiqej, ndryshe filmi nuk do të shfaqej.

...

lexo artikullin e plote ne versionin .pdf
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2017
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE