shq   eng
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  24.01.2020
In Memoriam - ADRIANA ELINI
Të premten, më 24 Janar 2020, në orën 11:00, AQSHF do të nderojë regjisoren e filmit dokumentar Adriana Elini (1937-1994). Nga fundi i viteve 1960 deri në mbarimin e epokës së Kinostudios “Shqipëria e re”, Adriana bëri dhjetëra filma dokumentarë me metrazh të shkurtër, nëntëmbëdhjetë prej tyre të realizuara vetëm në vitet 1970!

Megjithë sasinë dhe cilësinë e veprës, emri i Adrianës nuk është aq i njohur sa bashkëkohësit e saj dhe filmat e saj rrallë shihen. Të premten, AQSHF do të bëjë çmos për të ndryshuar këtë nocion. Ju ftojmë të vini të shihni tre nga dokumentarët e Adriana Elinit, me ngjyra, në 35 mm, dhe në ekranin e madh në sallën mikpritëse të arkivit të filmit.

Dokumentari i pare që do të shfaqim, SHTËPITË MALORE TË PUSHIMIT (1976) është një vështrim i gjallë i pushimeve të kaluara mes bukurisë natyrore të fshatit. ÇDO VIJË, NJË VIZATIM (1984) ndjek fëmijët kureshtarë brenda një klase ndërsa FANFARA E TË VEGJËLVE dokumentari simpatik i vitit 1985, dëshmon punën e një grupi të ri muzikor me vegla tunxhi dhe mësuesin e tyre të durueshëm. Dokumentarët e Adriana Elinit kapin në celuloid një Shqipëri që prej kohësh nuk është më si në këto filma, përmes planeve të afërta të kamerës që fokusojnë punëtorë dhe fëmijë.

Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi, do të bëjë një prezantim të shkurtër për kineasten Adriana Elini. Do të na bashkohen familjarë dhe miq të kineastes dhe të bashkëpunëtorit të saj krijues, skenaristit Ilia Dede i cili kohët e fundit ndërroi jetë, dhe që ka realizuar një dokumentar të tijin për Adriana Elinin.
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2020
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE