shq   eng
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  17.01.2018
Retrospektivë e kinemasë shqiptare në MUTACIONET E FILMIT: FESTIVALI I KINEMASË SË PADUKSHME, Zagreb, Kroaci, 18 - 24 janar 2018
Imazhe nga rrethimi: kinemaja e harruar e Shqipërisë

Nga të gjithë vendet e Evropës Lindore, asnjë komb nuk ka qenë aq misterioz sa Shqipëria. Deri në rënien e Murit të Berlinit, diktatura marksiste në Shqipëri ishte po aq e izoluar sa edhe Koreja e Veriut. Udhëheqësi i vetëm, Enver Hoxha (1908-1985), imponoi ndalimin e besimeve fetare, udhëtimeve jashtë vendit, madje edhe dhënien e emrave muslimanë ose të krishterë fëmijëve. Ndjekja e një filmi të huaj në televizion, jashtë programeve të kontrolluara të Televizionit Shqiptar, mund të ҫonte në dënim me burg ngase bije pre’ e “ndikimit të fuqive të huaja dhe agjitacion-propagandës”. Në vitet 1970-të, regjisori Werner Herzog ishte aq i mahnitur nga mentaliteti i izolimit të Shqipërisë saqë vendosi të ndërmerrte një udhëtim në të gjithë gjatësinë e kufijve të saj të mbyllur.

Dy dekada e gjysmë pas rënies së sistemit një-partiak, ende ka shumë pak informacion rreth kinemasë shqiptare. Gjatë katër dekadave e gjysmë të regjimit komunist, kineastët e Kinostudios – një kompleks studiosh e ndërtuar nga sovjetikët - prodhuan 232 filma artistikë me metrazh të gjatë, mijëra dokumentarë e kronika dhe qindra filma të animuar.

Megjithëse shumë prej filmave janë të mbushur me propagandë marksiste, një numër i këtyre ekzemplarëve të rrallë e të pazbuluar janë pjesë e denjë e kinemasë botërore. Programi IMAZHE NGA RRETHIMI: KINEMAJA E HARRUAR E SHQIPËRISË, paraqitur nga regjisorja Iris Elezi, drejtoresha e sapoemëruar e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ofron një përzgjedhje të prodhimtarisë së Kinostudios. Edhe pse publiku në Shqipëri vazhdon t’i ndjekë këto filma vazhdimisht në televizionet shqiptare, pothuajse asnjë nga këto vepra nuk është shfaqur jashtë Shqipërisë. Iris Elezi, së bashku me regjisorët Thomas Logoreci dhe Fatmir Koҫi, do të jenë të gatshëm të ofrojnë përqasje historike mbi këto imazhe nga të mbijetuarit më të harruar të Evropës.

Filmat 35mm dhe DCP-të janë mundësuar falë bashkëpunimit me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, Bibliotekën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Ska-Ndal Productions dhe znj. Donika Bardha.

Programi:

KAPEDANI (1972)

b/w, 95 min. (35mm)
Director: Muharrem Fejzo, Fehmi Oshafi
Screenplay: Skënder Plasari
Camera: Ilia Terpini
Music: Tasim Oshafi
Cast: Albert Vërria, Nikolin Xhoja, Zagorka Shuke, Flora Mërtiri, Robert Ndrenika

Askush nuk ka qenë kurrë në gjendje të shpjegojë se përse diktatura lejoi një shkallë të caktuar të lirisë artistike në Shqipëri nga viti 1968 deri në vitin 1973. Por, nga kjo rreze e shkurtër drite e shprehjes krijuese lindi komedia e gëzueshme KAPEDANI. Një partizan i moshuar ndërmerr një udhëtim nga fshati i tij në kryeqytet duke u përpjekur të kuptojë përparimet e grave të bëra nën socializëm. Ky film argëtues e i këndshëm është i mbushur me shumë cilësi stilistike dhe tematike të pazakonta për markën e rreptë të kinemasë së realizmit socialist në Shqipëri. Një vit pas premierës së Kapedanit, ky liberalizëm artistik u ndalua papritur. Premisat shpresëdhënëse që solli filmi Kapedani, u shuan.

RRUGË TË BARDHA (1974)

color, 81 min. (35mm)
Director: Viktor Gjika
Screenplay: Vath Koreshi
Camera: Lionel Konomi
Music: Limoz Disdari
Cast: Rikard Ljarja, Elida Cangonji, Ilia Shyti, Robert Ndrenika, Minella Borova, Agim Qirjaqi

Thuhet se, në kulmin e fushatës antifetare të nisur nga regjimi komunist, Viktor Gjika dhe skenaristi Vath Koreshi punuan mbi një metaforë të mprehtë fetare për të sjellë historinë e një filloronjësi hero i cili sakrifikoi jetën për të vendosur komunikimin telefonik në një fshat të thellë malor. Katër dekada pas premierës, kjo dramë e dashur për publikun shënon rolin më të rëndësisëm për aktorin dhe regjisorin Rikard Ljarja. Ky ishte filmi parë artistik me ngjyra.

TOMKA DHE SHOKËT E TIJ (1977)

b/w, 74 min. (DCP) (me bashkëpunimin e: US Library of Congress, Albanian Cinema Project dhe Ska-ndal Productions)
Director: Xhanfize Keko
Screenplay: Nasho Jorgaqi
Camera: Faruk Basha
Music: Aleksandër Lalo
Cast: Enea Zhegu, Herion Mustafaraj, Artan Puto, Genc Mosho

Pavarësisht kontrollit të rreptë të censurës, montazhierja e Kinostudios tashmë regjisore, Xhanfize Keko, përdorte zhanrin e filmave për fëmijëve për të shprehur shqetësimet personale të cilat nuk ishin të pranishme në punën e bashkëkohësve të saj meshkuj. Filmi i Kekos TOMKA DHE SHOKET E TIJ tregon padyshim aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të nxjerrë afësitë aktruese të natyrshme nga aktorët e vegjël, një grup djemsh që hakmerren ndaj ushtarëve pushtues gjermanë të cilët e kanë transformuar fushën e tyre të futbollit në një kamp ushtarak.

NUSJA DHE SHTETRRETHIMI (1978)

b/w, 54 min. (35mm)
Director: Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro
Screenplay: Elena Kadare
Camera: Bardhyl Martiniani
Music: Kujtim Laro
Cast: Kastriot Çaushi, Raimonda Bulku, Thimi Filipi, Llazi Serbo

Që prej themelimit të Kinostudios në vitin 1952, shumica e filmave shqiptarë trajtuan temat e fitores së komunistëve ndaj pushtuesve gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore. Edhe pas vdekjes së udhëheqësit Enver Hoxha në vitin 1985, filmat shqiptarë vazhduan ta ripërdorin temën e luftës, shpesh edhe me tejzgjatje qesharake. Me një skenar të shkruar nga Elena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare, NUSJA DHE SHTETRRETHIMI është padyshim një përjashtim nga kjo mori filmash. Një partizane guerrilase përpiqet të shpëtojë nga qyteti nën rrethim pasi ka vrarë një zyrtar nazist. Pasi qyteti rrethohet nga gjermanët, partizanja e mbështetur nga vendasit, merr pjesë në një dasëm lokale, duke u shtirur si nuse. Regjisorët Muҫaj dhe Mitro realizuan dhjetë filma artistikë me metrazh të gjatë, por tek ky film dhe tek një tjetër përrallë lufte, DIMRI I FUNDIT (The Last Winter) gjejmë kuadrot fotografike më të mira bardhë e zi që, herë herë, na sjellin në mend filmin e Robert Bresson-it A MAN ESCSPED.

LUMI QË NUK SHTERON (1989)


b/w, 41 min. (35mm)
Director: Fatmir Koçi, Flamur Koçi
Screenplay: Petrit Ruka
Camera: Frederik Ivanaj
Music: Dhimiter Lazri
Cast: Suela Konjari, Gjergj Lala, Myzafer Zifla, Sofia Meçi

Një dekadë para se të fitonte Festivalin e Filmit në Selanik me filmin e tij novator TIRANA VITI ZERO, Fatmir Koçi realizoi këtë dramë të fuqishme të vendosur në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një njësi partizane endet nëpër një fshat rural të shkretuar nga lufta, ndërsa komunistët dhe gjermanët luftonin mes tyre për të marrë kontrollin. Koçi krijon një atmosferë hipnotike që theksohet akoma më shumë nga aktrimi i tre vejushave të moshuara që veprojnë në heshtje pas kaosit dhe shkatërrimit. Në përfundim të realizimit të filmit, Fatmir Koçi u thirr nga këshilli artistik i Kinostudios, i udhëhequr nga regjisori veteran Viktor Gjika, kreu i gjithë prodhimit të filmit shqiptar. Duket se autoritetet e kohës ishin të pakënaqura pse Koçi nuk kishte vrarë mjaft gjermanë në filmin e tij bardhë e zi. Koçi u udhëzua të rikthehej në shesh-xhirim dhe të realizonte më shumë skena me armiq të vrarë dhe t'i bënte partizët të dukeshin heronj akoma më shumë. Megjithatë, kjo mbledhje ishte zhvilluar në ditët e para pas rënies së Murit të Berlinit dhe pak para vdekjes së Nikola Çausheskut. Koçi parapëlqeu ta shpërfillte urdhërin e Gjikës dhe LUMI QE NUK SHTERON u shfaq ashtu si regjisori e realizoi fillimisht.

TOKA E SHQIPONJAVE (2007)

b/w and color, 99min. (35mm)
Producer: Donika Bardha
Director: Fatmir Koçi
Screenplay: Ismail Kadare

Regjisori Fatmir Koçi dhe producentja Donika Bardha bënë një punë të gjatë hulumtuese duke vizoinuar me mijëra orë filmimesh nga fondi i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. TOKA E SHQIPONJAVE është një vështrim i jashtëzakonshëm dokumentaresk në një shekull të historisë së trazuar shqiptare - njëqind vjet nga rënia e Perandorisë Osmane deri në rrëzimin e sistemit komunist. Filmi fokusohet tek dekadat e regjimit absolut të Enver Hoxhës si një konspektim shpeshherë tronditës i gjyqeve popullore, persekutimit të besimeve fetare dhe absurditetit totalitar, imazhe këto të kapura me zell nga kamerat e mjeshtërve të Kinostudios. Narracioni në formë esse-je, i shkruar nga shkrimtari i nominuar për cmimin Nobel, Ismail Kadare, e evidenton akoma më shumë këtë material iluminues.

BOTA (2014)

color, 100 min. (DCP)
Director: Iris Elezi, Thomas Logoreci
Screenplay: Iris Elezi, Thomas Logoreci
Camera: Ramiro Civita
Editor: Walter Fasano
Cast: Artur Gorishti, Flonja Kodheli, Fjoralba Kryemadhi, Tinka Kurti, Alban Ukaj

Filmi BOTA sillet rrotull një kafeneje të izoluar të ndërtuar buzë një moçali. Aty është vendi i një trekëndëshi dramatik që lëviz nga Shqipëria e ditëve të sotme tek e kaluara e errët komuniste. Në këtë zonë të harruar ishin vendosur familje të tëra të internuara nga regjimi i vjetër dhe vetë moçali fsheh tmerre të lidhura me historitë e asaj kohe. Juli, një vajzë e re kamariere, kujdeset për gjyshen e saj të prekur nga demenca e moshës, e cila nuk e njeh më mbesën por e ngatërron me të ëmën, vajzën e saj, Albën, e cila u zhduk në mënyrë misterioze gjatë diktaturës. Beni, pronari i kafenesë, ëndërron për ditë më të mira me ndërtimin e autostradës që do kalojë aty pranë, por është ngatërruar në një lidhje romantike me ndihmësen e tij, Nora. BOTA u cilësua si “filmi më i mirë i vitit 2015” nga mjeshtri amerikan Monte Hellman.



  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2018
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE