shq   eng  
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  06.11.2017
FOKUS: VIKTOR GJIKA në kuadër të Tirana International Film Festival
FOKUS: VIKTOR GJIKA

Viti 2017 shënon atë që do të ishte ditëlindja e 80-të e regjisorit shqiptar Viktor Gjika (1937-2009). Me këtë rast, TIFF do të paraqesë katër nga veprat e tij më të njohura në gjininë e filmit artistik, ashtu siç meritojnë të shihen, në ekran të madh dhe të projektuara në 35mm në sallën e kinemasë në AQSHF (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit). Këto katër tituj, I TETI NË BRONZ (1970), RRUGË TË BARDHA (1974), NJERIU ME TOP (1977) dhe NË ÇDO STINË (1980) përfaqësojnë aftësitë e padiskutueshme të Gjikës për të bashkëpunuar me disa nga skenaristët, kinematografët dhe aktorët më të shquar të epokës së Kinostudios "Shqiperia e re". Secili prej tyre ka një kontribut të vazhdueshëm dhe nganjëherë kontrovers në kinematografinë e këtij vendi. Puna e Viktor Gjikës si përcaktuese e zhanrit të filmit artistik dhe kryesisht e panjohur jashtë kufijve Shqipërisë, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës.

I lindur në qytetin jugor të Korçës, 'Parisit të Vogël' të Shqipërisë, Viktor Gjika u rrit i mrekulluar nga shfaqjet e filmave në kinemanë e qytetit të tij, Majestic (salla më e madhe në Ballkan në atë kohë). Gjatë viteve 1950, kur Shqipëria ishte në sferën e ndikimit sovjetik, Gjika përfundoi studimet në Institutin e Kinemasë VGIK në Moskë. Një film i shkurtër (që fatkeqësisht tani nuk gjendet më në arkiva), ASKUSH KURRË NUK VDES, i xhiruar nga Gjika dhe Dhimitër Anagnosti për regjisoren estoneze Leida Laius, u nderua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Punët Studentore në Lodz të Polonisë në vitin 1960.

Gjatë gjithë jetës së tij artistike, Viktor Gjika realizoi pesëmbëdhjetë filma artistikë dhe njëzet e gjashtë dokumentarë. Gjika filloi karrierën e tij si kameraman në filmin e Hysen Hakanit DEBATIK (1961) dhe DETYRË E POSAÇME të Kristaq Dhamos (1963). Pas realizimit të një sërë dokumentarësh, Gjika u kthye në regji me filmin KOMISARI I DRITËS (1966), duke mbajtur për dy dekada një nga shtyllat e kinemasë komuniste shqiptare. Për shumë shqiptarë, tituj të njohur si HORIZONTE TË HAPURA (1968), YJET E NETËVE TË GJATA (1972), GJENERAL GRAMAFONI (1978) janë kthyer në pika referimi kolektive për të rinjtë apo për më të vjetrit, duke anashkaluar kështu ideologjinë ndonjëherë të rëndë të pranishme në këto filma.

Në vitin 2012, Projekti i Kinemasë Shqiptare, një iniciativë e themeluar për të sjellë vëmendjen në trashëgiminë e rrezikuar filmike shqiptare, ka punuar me kompaninë amerikane Colorlab për të financuar restaurimin e filmit NËNTORI I DYTË (1982) të Viktor Gjikës. Një nga më të kushtueshmit të realizuar në epokën e Kinostudios, ky film është një kronikë e gjerë mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi. Premiera e filmit të restauruar pati një shfaqje triumfuese në Tiranë në njëqindvjetorin e ngjarjeve të përshkruara në epikën e Gjikës.

E Hënë, 6 Nëntor 2017, ora 17.30 në kinemanë e AQSHF-së

RRUGË TË BARDHA (1974), 81 min.
Skenarist: Vath Koreshi
Regjisor: Viktor Gjika
Operator: Lionel Konomi
Piktor: Shyqyri Sako
Kompozitor: Limoz Disdari
Në role: Rikard Ljarja, Elida Cangonji, Ilia Shyti, Robert Ndrenika, Minella Borova, Agim Qirjaqi
Thuhet se Viktor Gjika dhe skenaristi Vath Koreshi punuan mbi një metaforë të mprehtë fetare për të sjellë historinë e një filloronjësi hero i cili sakrifikoi jetën për të vendosur komunikimin telefonik në një fshat të thellë malor. Katër dekada pas premierës, kjo dramë e dashur për publikun shënon rolin më të rëndësisëm për aktorin dhe regjisorin Rikard Ljarja. Ky ishte filmi parë artistik me ngjyra.

Double Bill! 20:15 shfaqje nga fondi i filmit të huaj

MIRËMËNGJES BABILONI
nga Paolo & Vittorio Taviani


E Martë, 7 Nëntor 2017, ora 17.30

I TETI NE BRONZ (1970), 95 min.
Skenarist: Dritëro Agolli, Viktor Gjika
Regjisor: Viktor Gjika
Operator: Ilia Tërpini
Piktor: Namik Prizreni
Kompozitor: Kujtim Laro
Në role: Mevlan Shanaj, Bexhet Nelku, Vangjush Furxhiu, Yllka Mujo, Piro Mani, Sandër Prosi, Robert Ndrenika
Dy dekada e gjysmë pas vdekjes së komisarit, një grup ish-partizanësh mblidhen në fshatin e tij të lindjes për të vendosur një bust bronzi në kujtim të tij, duke ri-sjellë episode nga jeta e komisarit e lidhur me luftën. Për këtë film dramatik me temë nga Lufta e Dytë Botërore, Gjika shkroi një skenar të bazuar mbi romanin “Komisari Memo” të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli. Gjithashtu, aktorja gjashtëmbëdhjetëvjecare Yllka Mujo pati rolin e vet debutues në këtë film.


E Mërkurë, 8 Nëntor 2017, ora 17.30

NË CDO STINË (1980), 73 min.
Skenarist: Viktor Gjika, Bashkim Hoxha
Regjisor: Viktor Gjika
Operator: Pëllumb Kalifa
Piktor: Alush Shima
Kompozitor: Aleksandër Peci
Në role: Anisa Markajan, Arben Imami, Pavlina Leka, Spiro Duni, Frederik Noci, Ermira Bahiti
Sipas kritikut Julian Bejko, drama romantike e përshkruar në këtë film, shënoi një kthesë të tematikave të trajtuara në filmat shqiptarë, nga fokusi tek idealet komuniste, tek reflektimet mbi kuptimin e dashurisë. Viktor Gjika, në këtë film eksperimentoi me teknikat e ekranit të gjerë, me një kolonë zanore të mrekullueshme nga Aleksandër Peçi si dhe me aktorin Arben Imami, ministrin e ardhshëm të mbrojtjes, në rolin e studentit të ri Bardhyl.


E Enjte, 9 Nëntor 2017, ora 17.30

NJERIU ME TOP (1977), 86 min.
Skenarist: Viktor Gjika
Regjisor: Lionel Konomi
Piktor: Kleo Nini
Kompozitor: Limoz Disdari
Në role: Timo Flloko, Elida Cangonji, Starvi Shkurti, Kadri Roshi, Drita Pelingu, Sandër Prosi
“Njeriu me top” është filmi i parë shqiptar që u xhirua në formatin e ekranit të gjatë – ëidescreen dhe u bazua në romanin popullor të Dritëro Agollit me të njejtin titull. Historia e Mato Grudës, fshatarit që gjeti një top lufte të braktisur nga italianët dhe mendon si ta përdorë atë kundër fqinjit të tij të pasur dhe jo kundër pushtuesëve gjermanëve, u portretizua me mjeshtëri nga aktori Timo Flloko duke mbetur një nga personazhet më të dashur të prodhimeve të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Shkruar nga: Iris Elezi & Thomas Logoreci
© AQSHF, Nëntor 2017

  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2017
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE