shq   eng
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  30.11.2011
Krijimtaria e kineastit KUJTIM GJONAJ me rastin e 65 vjetorit të lindjes
Të mërkurën më 30 Nëntor, ora 12.00, në AQSHF vijon muji i skenaristëve të filmit dokumentar shqiptar ku do te risillet në vemendje të publikut krijimtaria e skenaristit, publicistit e regjisorit Kujtim Gjonaj.

- Takime e biseda mes miqsh e kolegësh
- Shfaqje 60 minuta film portret me krijimtarinë e Kujtim Gjonajt, realizuar nga Studio Cinemania
- Koktej



Kujtim Gjonaj është një nga më të shquarit kinodokumentaristë shqiptar të brezit të viteve ‘70 që me krijimtarinë e tyre sollën një frymë të re në dokumentaristikën shqiptare për nga tematika dhe trajtimi artistik. Emëruar në Kinostudio fill pas mbarimit të fakultetit gjuhë-letërsi (1969), pas një përvoje e veprimtarie të bollshme si redaktor e skenarist në mesin e viteve ‘70 kalon në regjisurë duke xhiruar deri më sot rreth 100 filma dokumentarë në shumicën e të cilave është autor i skenarit. Ka një krijimtari që mund të përmblidhet në tre grupime tematike kryesore. Të parin e përbëjnë filmat me temë dite. (Zëri yt, Rini; Studiues i apasionuar, Më e madhja dashuri - shpalluar “filmi më i mirë dokumentar i vitit 1986”- Bashkëkohësit, etj).

Dy nga filmat më të mirë me këtë temë, Gjonaj i ka realizuar në periudhën e demokratizimit të vendit: Drejt Evropës (1991) - ëndrra e shqiptarit për të hyrë në Europë dhe Shembja e idhujve (I993) për dobësinë tradicionale shqiptare për të krijuar idhuj, vlerësuar me çmim special në Festivalin e V Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Palermo të Italisë. Drejtimin e dytë e përbëjnë filmat me tematikë lirike, ku spikasin Qytet në telajo, Etyd pranë detit, Kur nis një këngë rinie dhe, Kështjella e këngëve, vlerësuar me Kupën e Festivalit të 8-të të Filmit Dokumentar 1990. Filmi i fundit na jep një nga shembujt më të mirë të rikapjes të së njëjtës temë (Festivalit Folklorik Kombëtar) nëpërmjet trajtimeve të ndryshme dhe zbërthimit filmik të disa prej perlave të muzikës sonë popullore. Kryengritjet e mëdha, Në gjurmë të një historie, Gjaku ynë i shprishur, Ditët e fundit të një Luani (Ali Pasha), Nënë Tereza, Enciklopedia që ecte me këmbë (Faik Konica), janë disa nga realizimet me vlerë të spikatur të filmave me temë historike që përbën grupin e tretë dhe një nga shtyllat qendrore të krijimtarisë.
 Dokumentari "Kryengritjet e mëdha" ka fituar çmimin e dytë në konkursin kombëtar 1981, ndërsa për Ditët e fundit të një luani më 2002 është nderuar me urdhrin Naim Frashëri i Artë.
 
Kujtim Gjonaj kurdoherë ka parapëlqyer që informacionet të përcillen emocionalisht çka e arrin nëpërmjet interpretimit artistik të faktit (ndërtimit dramaturgjik të të dhënëve biografike, ballafaqimit mbresëlënës të dokumentave arkivore, tekstit të folësit, mendimeve të gjalla, etj.) Të gjitha këto karakteristika shpërfaqen më së miri edhe në filmin Ëndrra e Ēamërisë që përbën filmin më të mirë të derisotëm kushtuar Ēamërisë. Ky dokumentar u cilësua si dokumentari më i mirë i vitit 2011 nga Akademia KULT dhe u vlerësua me cmimin KULT.

Përveç si kinodokumentarist aktiv edhe në ditët e sotme, Gjonaj është i njohur si autor i skenarëve të filmave artistikë Thirrja, Cirku në fshat, Ata ishin katër dhe Këshilltarët; si publicist e kritik përmes dhjetëra shkrimeve për filma konkretë dhe probleme ideoestetike të kinemasë në revistën Nëntori, Skena dhe ekrani, në gazetën Drita apo në të përditshmet e sotme. Ka dhënë një ndihmesë të ēmueshme si pedagog në kurset pasuniversitarë të viteve ’80 për kineastë me leksionet për regjinë dhe dramaturgjinë e filmit dokumentar. Nga viti 2003-2005 ka qenë drejtor i studios Albafilm. Si producent, në krye të Shtëpisë së Filmit dhe Librit “Bota Shqiptare” (themeluar më 1997), ka prodhuar shumë filma dokumentarë dhe vizatimorë (Jeronim de Rada, Me detin brenda, Fotografitë, Mirazh në shkretëtirë, etj), ndërsa si botues parapëlqen shkrimtarët klasikë dhe në veēanti ata bashkëkohorë (shqiptarë e të huaj). Kujtim Gjonaj kësisoj është një figurë me veprimtari të shquar e të lavdërueshme jo vetëm si kineast por edhe si publicist, kritik filmi, producent e botues.

KRISTAQ DHAMO
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2018
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE