shq   eng  
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  07.06.2016
ZËRAT E HESHTUR në DocuTIFF 2016
 
ZËRAT E HESHTUR, është program retrospektive që prezantohet në Tirana International Documentary Film Festival DocuTIFF 2016 në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Pas prezantimit për herë të parë të këtij programi marsin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Cinema Du Reel”, në Paris, kuruar nga Clarence Tsui, kritik filmi dhe studiues i kinemasë, e risjellim për publikun shqiptar i cili ende di shumë pak, ose aspak, për veprat dokumentareske të cilat, për një arsye apo për një tjetër, nuk u lejuan nga strukturat shtetërore të shfaqeshin për publikun por thjesht u arkivuan në magazinat e AQSHF-së për t’u ballafaquar me pluhurin e harresës. DocuTIFF dhe AQSHF ftojnë publikun të shijojë një kinema origjinale e të vërtetë, ndryshe nga impostimet apo planet e koreografuara që zakonisht ofrojnë dokumentarët e Kinostudios.

Zërat e heshtur të kinematografisë shqiptare do të vijnë për publikun nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me etydet të shkurtra që shënuan fatin e jetës së tij; nëpërmjet kamerës së drejtuar nga Mithat Fagu e cila do të na flasë për dhuruesit e jetës, dhuruesit e gjakut. Sërish një regjisor që e përdor bukur syrin e tretë dhe realizon dokumentarë përtej atyre të zakonshmëve. Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit teknikoshkencor” film i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare, por në AQSHF ruhen elementet kryesorë të kësaj vepre.

E nuk mund të mungonte kamera e regjisorit Dhimitër Anagnosti në këtë retrospektivë të filmit dokumentar shqiptar. Anagnosti vjen me premierën e versionit të restauruar të dokumentarit “Përjetësi” një restaurim i realizuar nga AQSHF në vitin 2014 si edhe me filmin tjetër ‘modern për kohën “Motive nga dita e diel”, 1974 ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz.
Filmi i shkurtër Përjetësi vjen si premierë kombëtare e versionit të restauruar, një projekt i AQSHF-së me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Laboratorit Hungarez të Filmit. Shfaqet për publikun 42 vjet pas prodhimit të saj. Ky dokumentar trajton një temë shumë emocionale për dëshmorët e luftës, nuk u shfaq asnjëherë për publikun, por u arkivua menjëherë pas prodhimit për shkak të trajtimit regjisorial që u konsiderua modern për kohën.

Vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen për publikun nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt. Studentët e përzgjedhur nga Topallaj, vajzat më të bukura e djemtë më të pashëm të Tiranës na shoqërojnë në një udhëtim të mrekullueshëm nga veriu në jug të vendit e na njohin me historinë, traditat e peizazhet marramendëse. Pikërisht fati i të rinjve protagonistë të filmit, diktoi edhe fatin e filmit… disa prej tyre u internuan nga regjimi e kështu filmi u detyrua të priste në raftet e Arkivit për ta parë sërish dritën e projeksionit vetëm në vitet dymijëedhjetë.

Ditën e martë, dt. 6 qershor 2016, ora 19.00 në sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar.

Në program:

RETROSPECTIFF | ZËRAT E HESHTUR | Muzeu Kombëtar

Përjetësi, Dhimitër Anagnosti | 1973 | 7'
Motive nga dita e diel, Dhimitër Anagnosti | 1973 | 23'
Dhuruesit e jetës, Mit'hat Fagu |1971 | 27'
Qeshim se nuk qajmë dot, Viktor Stratobërdha | 1956 | 4'
Urime shokë studentë! Viktor Stratobërdha | 1955 | 9'
Shqipëria turistike, Mark Topallaj | 1974 | 25'


  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2017
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE