shq   eng  
 
 
 
HOME
Faqja kryesore
Funksionimi i AQSHF-së
KUADRI LIGJOR
Ligji për kinematografinë
KINEMAJA
Programi i shfaqjeve
ARKIVA ONLINE
Shih film online
 
AQSHF
  12.12.2015
RETROSPEKTIVË E ANIMACIONIT SHQIPTAR NË ANIMATEKA 2015, LUBJANË, SLLOVENI
Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar me emrin domethënës ANIMATEKA, u mbajt në Lubjanë, Slloveni në datat 7 – 13 Dhjetor 2015.
Organizuar nga Shoqata 2Reels, Kinodvor dhe Kinemateka Sllovene, Animateka 2015 solli për publikun ndërkombëtar një sërë programesh, si programe konkurues ashtu edhe programe speciale, retrospektiva si edhe programe dedikuar fëmijëve apo të drejtave të njeriut. U shfaqën rreth 250 filma të shkurtër, të animuar dhe pati mbi 100 artistë apo kuratorë programesh të ftuar nga vende të ndryshme të botës për të prezantuar punët e tyre.

Një nga programet speciale të festivalit Animateka 2015 ishte edhe fokusi mbi filmin e animuar shqiptar të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re” dhe Albafilm. Ky program, i organizuar nga Igor Prassel, programues i Animatekës dhe në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Anibar, Pejë erdhi pikërisht në këtë vit jubilar për Animacionin shqiptar sepse sivjet u mbushën plot 40-vjet nga krijimi i këtij zhanri. Retrospektiva u fokusua tek filmat e vjetër të Kinostudios, u paraqitën 14 filma të prodhuar nga viti 1975 “Zana dhe Miri” nga autorët Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso e deri në vitin 1992 si filmi “Kompozim” realizuar nga Stefan Taci.

U shfaqën 14 veprat e realizuara nga autorët: Vlash Droboniku, Bujar Kapexhiu, Boris Ikonomi, Gëzim Qendro, Stefan Taci, Artur Dauti, Artur Muharremi, Gazmend Leka, Esperanca Konomi, Xhovalin Delia, Josif Droboniku, Artan Maku, Tomi Vaso, Diana Diamanti, Jovan Kondakci, Lindita Capuni, Josif Kote, Lefter Lepuri, Zamira Keci, Natasha Vodica, Agron Mesi, Stavri Pone, Luan Rama, Ramadan Pasmaciu, Thimi Bello, Muharrem Skënderi, Bledar Gërcalliu, Kristaq Koci.

Gjithashtu, Arkivi i Filmit prezantoi edhe një ekspozitë me postera origjinalë të filmave të animuar shqiptarë, në ambjentet e Kinotekës Sllovene, pjesë e koleksioneve të rralla origjinale që ruhen në këtë institucion të rëndësishëm për kulturën tonë kombëtare.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Slloveni, Z. Pëllumb Qazimi dhe i gjithë stafi i Ambasadës dhe familjarët e tyre duke shprehur kështu mbështetjen për organizimin e eventeve të tilla tani edhe në të ardhmen.

Ndërkohë që prodhimet e reja të animacionit sot kanë mundësi të shumta të marrin pjesë në festivale dhe aktivitete jashtë Shqipërisë, për filmat e vjetër të Kinostudios shfaqja në Animateka 2015 ishte hera e parë përpara një publiku ndërkombëtar në sallën 160 vendëshe të Kinotekës Sllovene, në 2 orare të ndryshme të mbrëmjes së të shtunës të 12 dhjetorit.
Programi i titulluar Albanian Communist Animations, që paraqiti filmat e prodhuar në periudhën e komunizmit u propozua nga Rron Bajri, realizues i Festivalit Anibar, Pejë, festival partner i Animatekës dhe gjeti mbështetjen e plotë të AQSHF-së që u angazhua totalisht me organizimin e programit dhe prezantimin tek publiku ndërkombëtar nga Znj. Eriona Vyshka, specialiste prej 15 vitesh pranë redaksisë së AQSHF-së e cila foli mbi historikun e krijimit të koleksioneve filmike të zhanrit të animacionit, vështirësitë e artistëve dhe përpjekjet e tyre pasionante për konsolidimin e tij, tematikat e zhvilluara dhe teknikat e përdorura etj.
Duhet thënë që filmat e realizuara gjatë periudhës komuniste ngjallin kërshërinë e audiencës së huaj e cila gjithnjë e më shumë po kërkon të njohë prodhimet filmike shqiptare të pashfaqura më parë për të mbushur kështu errësirën gati totale që mbizotëron në audiencën ndërkomëtare përsa i takon filmit shqiptar të para viteve 90-të.

AQSHF po vazhdon punën për prezantime të tjera ndërkombëtare të koleksioneve të rralla e të panjohura për publikun e huaj duke organizuar aktivitete të tjera interesante gjatë vitit 2016. Na ndiqni!

Titujt e prezantuar në Animateka 2015 mund t’i shihni këtu:
http://www.animateka.si/…/albanski-komunisticni-animirani-f…
http://www.animateka.si/…/albanski-komunisticni-animirani-f…
  Arkivi Qëndror
Shtetëror i Filmit

Copyright © 2017
   
  HOME     AQSHF     KUADRI LIGJOR     KINEMAJA     ARKIVA ONLINE